Talenti shqiptar nga Italia, Erjon Tasholli, në radarët e Kosovës dhe klubeve të mëdha italiane

Një tjetër talent shqiptar po spikat në futbollin italian. Bëhet fjalë për Erjon Tashollin, sulmuesin e lindur më 16 prill 2013 në Itali, i cili aktualisht është pjesë e akademisë së FC Südtirol,shkruan Raporto24
Sipas burimeve të ZëriSot, Tasholli është në kontakt me strukturat e Kombëtares së Kosovës. Edhe pse i përket grupmoshës U14, ai i plotëson kriteret fizike dhe sportive edhe për t’u angazhuar me U15. Megjithatë, për zhvillimin e tij afatgjatë është vendosur që, të paktën për momentin, të vazhdojë me grupmoshën përkatëse.
Me një gjatësi prej rreth 1.77 metrash, Erjoni luan si sulmues qendre, por mund të aktivizohet me sukses edhe në të dy krahët e sulmit. Forca fizike, shpejtësia, lëvizjet inteligjente dhe instinkti për gol e bëjnë atë një nga talentët më premtues të brezit të tij.
Burime pranë familjes bëjnë të ditur se Tasholli ka marrë pjesë në kampe të organizuara nga klube prestigjioze si Real Madrid CF, FC Barcelona, FC Internazionale Milano dhe Juventus FC, ku është vlerësuar për paraqitjet e tij.
Së fundmi, ai mori pjesë edhe në kampin e AC Milan të organizuar në Prishtinë, ku u rendit ndër futbollistët më të spikatur mes mbi 120 pjesëmarrësve. Sipas burimeve, ai u dallua edhe në ndeshje ku përballej me lojtarë të grupmoshave më të mëdha, deri në 17 dhe 18 vjeç.
Po sipas të njëjtave burime, ekzistojnë kontakte edhe me AC Milan, ndërsa gjatë muajit gusht pritet të bëhet më e qartë nëse këto bisedime do të konkretizohen me një hap të ri në karrierën e talentit shqiptar.
Nëse vazhdon me këtë ritëm zhvillimi, Erjon Tasholli pritet të jetë një emër për t’u ndjekur me vëmendje në vitet e ardhshme, si për futbollin italian, ashtu edhe për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës.
ZëriSot do të vazhdojë të ndjekë nga afër rrugëtimin e këtij talenti premtues në futbollin evropian./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU