Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në Gjermani dhe Kosovë, e bashkë me to edhe vendime të rëndësishme për dy vendet tona. Por Kosova mund të mbështetet në një gjë: edhe qeveria e ardhshme federale do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Si partnerë, të dy vendet tona duhet të bëjnë gjithçka që munden për të kapërcyer sa më shpejt pengesat e mbetura
2024 ishte edhe një vit tjetër për ta festuar! Vetëm vitin e kaluar Gjermania dhe Kosova festuan 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Këtë vit po festojmë 25 vjet të bashkëpunimit zhvillimor. Që nga viti 1999, Gjermania ka investuar pothuajse 1 miliard euro në forcimin e demokracisë kosovare, ekonomisë, strukturave shtetërore, mbrojtjes së pakicave dhe shumë më tepër.
25 vjet bashkëpunim zhvillimor do të thotë edhe 25 vjet miqësi. Krahas projekteve të panumërta në bashkëpunimin tonë zhvillimor, mund të them me krenari që Gjermania me Kosovën kanë kaluar kohë të mira dhe të liga 25 vjetëve të fundit. Nga pjesëmarrja gjermane në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 në mbështetjen e pavarësisë shtetërore të Kosovës e deri te shoqërimi i Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Si partnerë të vlerave, ne dënojmë fuqishëm luftën e agresionit rus kundër Ukrainës. Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut në mbarë botën dhe së bashku ndjekim një politikë të jashtme feministe që merr parasysh interesat e të gjithë njerëzve.
Bashkërisht ne punojmë ngushtë në fushat e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes. Në veçanti, këtë vit për shkak të situatës gjithnjë e më të brishtë të sigurisë kemi katërfishuar kontingjentin gjerman të KFOR-it. Ne dhe partnerët tanë, së bashku me Qeverinë e Kosovës, e kemi dënuar në mënyrën më të ashpër sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepencit. Sulmi duhet të hetohet plotësisht dhe autorët do të duhet të përgjigjen para gjykatës. Kosova mund të mbështetet në solidaritetin tonë të plotë në këtë çështje.
Ne po trajtojmë së bashku edhe sfidat e tjera në nivel global. Lufta kundër ndryshimeve klimatike është një nga detyrat kryesore me të cilat do të përballet njerëzimi në dekadat e ardhshme. Si pjesë e partneriteteve tona për klimën Gjermania dhe Kosova po bëjnë përparim vendimtar në tranzicionin energjetik në Evropë. Veçanërisht heqja graduale e qymyrit jo vetëm që mbron klimën, por ka një efekt shumë konkret në luftën kundër ndotjes së ajrit dhe në këtë mënyrë në përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve në vendet tona.
Gjermania dhe Kosova mbeten shumë të lidhura ngushtë, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve tona intensive politike, por edhe për shkak të marrëdhënieve tona shumë personale me njëra-tjetrën. Mbi 540,000 njerëz me prejardhje nga Kosova jetojnë tashmë në Gjermani. Lidhjet familjare dhe të miqësisë midis vendeve tona, midis njerëzve tanë, janë të pandashme. Janë të pakta vendet në botë, ku unë si diplomat gjerman jam ndier si në shtëpinë time, sa në këtë vend.
Pikërisht kjo është arsyeja pse rrugën e mëtejshme të Kosovës drejt Bashkimit Evropian e kam aq shumë për zemër. Kosova është pjesë e familjes evropiane dhe, ashtu si shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e ka vendin në Bashkimin Evropian. Që nga lufta e tmerrshme e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës së pavarur, kjo na është bërë më e qartë se kurrë më parë. Si partnerë të vlerave, ne do të jemi në gjendje të afirmojmë veten në arenën gjithnjë e më të ashpër globale, nëse qëndrojmë së bashku sa më afër që të jetë e mundur.
Prandaj shprehimisht mirëpres aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por ne duhet të pranojmë gjithashtu se për shkak të pesë mosnjohësve të mbetur, rruga e Kosovës drejt BE-së edhe më tej mbetet veçanërisht sfiduese. Si partnerë, të dy vendet tona duhet të bëjnë gjithçka që munden për të kapërcyer sa më shpejt pengesat e mbetura.
Për këtë arsye, Gjermania këtë vit ka qenë e përkushtuar fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe është angazhuar në diplomaci intensive në prapaskenë. Në këtë kontekst, dëshiroj të vlerësoj shprehimisht vendimin e vështirë për vendin për të zbatuar përfundimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e tokës në Manastirin e Deçanit pas shtatë vitesh.
Obligimi ligjor për themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili po ashtu ekziston prej shumë vitesh, nuk është përmbushur ende. Për shkak se Kosova nuk donte që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte statutin për një asociacion të tillë, të hartuar nga Bashkimi Evropian, shumica e votave të shteteve anëtare e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u rrezikua seriozisht. Vendimi u shty vetëm për të shmangur një humbje të mundshme. Është një përrallë që ne dhe miqtë tanë nuk duam që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. E kundërta është e vërtetë.
Ka aq shumë që ndërlidhet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës: mbrojtje më e mirë ligjore për kosovarët përmes mundësisë së parashtrimit të ankesave në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut; forcimi i mëtejshëm i demokracisë dhe shtetit ligjor, përmirësime të ndjeshme në fushën e mbrojtjes së pakicave dhe kështu me radhë.
Por lajmi i mirë është: pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës si pararendës i Bashkimit Evropian mbetet i arritshëm. I takon vetë vendit që të ndërmarrë hapin e guximshëm që kërkohet për ta bërë këtë dhe të paraqesë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga BE-ja. Propozimi është shqyrtuar intensivisht nga ekspertë të ndryshëm për të përcaktuar pranueshmërinë ligjore dhe realizueshmërinë e tij politike.
Megjithatë, çdo rezervë kushtetuese për një projekt kaq themelor është sigurisht legjitime. Askush nuk do të kërkojë që Kosova të krijojë një asociacion të komunave që nuk i plotëson kushtet kushtetuese. Pikërisht për këtë kemi gjykatat kushtetuese: ato dhe vetëm ato janë autoriteti përfundimtar për të mbrojtur kushtetutat tona.
Në këtë kontekst, jam i shqetësuar që këtë vit veçanërisht gjyqësori, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, është bërë gjithnjë e më shumë objekt i kritikave të ashpra nga ekzekutivi. Sepse një gjë mbetet qendrore: pavarësia e gjyqësorit është parakushti thelbësor për një shoqëri të lirë dhe demokratike. Ajo është kushti thelbësor për funksionimin e Bashkimit Evropian. Si evropianë, ne nuk duhet të lejojmë që të lindë asnjë dyshim për pavarësinë e saj.
Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në Gjermani dhe Kosovë, e bashkë me to edhe vendime të rëndësishme për dy vendet tona. Por Kosova mund të mbështetet në një gjë: edhe qeveria e ardhshme federale do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor sa më mirë që të jetë e mundur në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Dhe Kosova mund të presë vazhdimësi edhe nga Brukseli. Komisioni i ri i zgjedhur këtë vit tashmë është formuar dhe ka rinovuar premtimin e tij për anëtarësim – por gjithashtu ka bërë thirrje përsëri për zbatimin e kërkesave në tryezë: zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë hapat e mëtejshëm drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Jam i lumtur të shoh se Gjermania, që edhe Bashkimi Evropian mund të presë vazhdimësi nga Kosova. Fakti që të gjitha partitë kryesore kosovare ndajnë versionin evropian për vendin e tyre, nuk e gëzon vetëm qeverinë time, por edhe mua personalisht.
Por do të jetë thelbësore të mos bëhen pohime sa për sy e faqe, por që në vitin 2025 veprat të përputhem me fjalët. Anëtarësimi në BE sjell përfitime të jashtëzakonshme për të gjithë anëtarët e saj: politike, ekonomike dhe sociale. Por kërkon gjithashtu aftësinë e vazhdueshme për të bërë koncesione dhe kompromise. Një Union funksionon vetëm nëse anëtarët e tij mbështeten nga fryma e së përbashkëtës. Nëse dëgjojnë këshillat e miqve të tyre dhe nëse janë të gatshëm të marrin një herë vendime të dhimbshme personalisht, nëse kjo i shërben përparimit të shoqërisë. Le të angazhohemi të gjithë së bashku për ta bërë edhe vitin e ardhshëm një vit evropian!
Ju uroj gjithë të mirat për vitin 2025.
(Autori është ambasador i Gjermanisë në Kosovë)