Më 07 qershor 2025, rreth orës 21:30, gjatë patrullimeve në Malet e Sharrit në rrugën për në Luboten, Policia e Kaçanikut, në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, ka hasur në një automjet tip xhip me rimorkio të ngarkuar me drunj të prerë ilegalisht.
Pavarësisht sinjaleve për ndalim, të dyshuarit nuk kanë respektuar urdhrin e policisë, por kanë vazhduar lëvizjen. Në një rrugë malore, ata kanë shkarkuar disa drunj për të penguar ndjekjen, më pas i kanë vënë zjarr automjetit dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë komandanti i stacionit policor, njësia e NJRSH dhe janë njoftuar zyrtarët e Parkut Kombëtar “Sharri”. Policia ka nisur hetimet dhe është në proces të identifikimit të personave të dyshuar.
Policia Rajonale e Ferizajt, në bashkëpunim me rojet e pyjeve, do të vazhdojë angazhimet për parandalimin e prerjes dhe shitjes ilegale të drunjve.
Qytetarët ftohen të bashkëpunojnë duke raportuar rastet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të gjitha të dhënat do të trajtohen me konfidencialitet të plotë./Raporto24