Saktësisht 84 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit do të mbahet vazhdimi i dhjetë i seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit. Vonesat në funksionalizimin e këtij organi ligjvënës, në vlerësimin e monitoruesve, po vënë në rrezik qindra miliona euro nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërsa, pozicionet e partive mbesin të pandryshuara
Mëngjesin e së shtunës, të zgjedhurit e popullit në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen për të dhjetën herë në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re.
Vazhdimi i nëntë i seancës që nisi më 15 prill vjen pas ndërprerjes, si pasojë e dështimit për të ndërruar formën e votimit – nga i hapur në të fshehtë – për zgjedhjen e krye-parlamentarit.
Pozicionet e partive politike mbesin të pandryshuara një ditë para vazhdimit të seancës.
Partia e dytë dhe ajo e treta për kah numri i deputetëve, akuzojnë të parën për shkelje të rregullave e procedurave në mungesë numrash.
“Nuk mund që me arbitraritet të theksuar një subjekt politik të provojë të instalojë diktat, e para të imponojë një kandidat që nuk merr besimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e dyta të shkel procedurat, një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është votimi për të zgjedhur kryekuvendarin”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së.
“Është abuzim me pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit. Kjo sjellje është e papranueshme dhe në fund të fundit edhe denigrim edhe i personalitetit të individit. Por, edhe strategji abuzive që po e përdorë Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar ose për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, ka thënë Armend Zemaj, deputet i LDK-së.
Dështimi i të zgjedhurve për të funksionalizuar Kuvendin, gati tre muaj nga zgjedhjet, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike është duke rrezikuar më shumë se 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së dhe miliona të tjerë nga marrëveshjet tjera ndërkombëtare.
“Situata rëndohet edhe më shumë duke marrë parasysh se, në rast mos-ratifikimi deri në qershor që përbën afatin e dytë të zbatimit të reformave ekziston rreziku real i kthimit në pikën zero sa i përket negocimit të marrëveshjes. Kjo mund të përkthehet në vonesa në ekzekutimin e fondeve, si dhe potencialisht në rishpërndarje të fondeve”, ka thënë Besar Gegi, hulumtues në GLPS.
Në asnjërën nga përpjekjet e përsëritura, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori më shumë se 57 vota nga së paku 61 vota të kërkuara./Dukagjini/