No menu items!

Thaçi ankohet se s’ka para për dy gjykime paralele, prokuroria e pretendon të kundërtën

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kërkuar që të mos zhvillohen dy gjykime paralele dhe që rasti për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë të veçohet. Argumenti i parë që ka përdorur mbrojtja është mungesa e financimit. E në Zyrën e Prokurorit të Specializuar e kanë kundërshtuar propozimin, duke thënë se Thaçi nuk i ka shfrytëzuar krejt mundësitë për financim
Ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili është i akuzuari i vetëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dy çështje penale, ka kërkuar që t’i veçohet procedura për rastin që ka të bëjë me “ndikimin te dëshmitarët”.

Në mbrojtjen e Thaçit kanë argumentuar se angazhimi në rastin më të madh të Speciales, i cili ka të bëjë me krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, do ta mbingarkonte të akuzuarin dhe se nuk do t’ia lejonte atij pjesëmarrjen në mënyrë efektive në përgatitjen e mbrojtjes për çështjen tjetër.

Avokatja e tij, Sophie Menegon, ka argumentuar se Thaçi nuk ka para për t’i paguar dy ekipe njëherësh.

“Formimi i një ekipi të dytë, tërësisht të ndarë, do të kërkonte resurse të konsiderueshme shtesë, që z. Thaçi nuk i ka. Menaxhimi i mbulimit të kostove për ndihmën ligjore nuk nënkupton edhe aftësinë për t’i paguar dy ekipe njëkohësisht. Rregullat e DHSK-së për ndihmë ligjore nuk ofrojnë zgjidhje të problemit, meqë z. Thaçi nuk është i varfër siç parashihet me legjislacion. Sidoqoftë, z. Thaçi ka ndarë tashmë mjetet që i ka në dispozicion nga rasti 06. Këto shpenzime nuk mund të reduktohen, veçanërisht gjatë kësaj pike kritike në rastin 06”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Thaçit.

Mbi Thaçin rëndojnë dy akuza, për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i kanë thënë gjykatës se nuk qëndrojnë argumentet e mbrojtjes se gjykimi në të njëjtën kohë për dy raste është i paprecedentë dhe se mbrojtja nuk i ka shterur të gjitha mundësitë për financim.

“Si alternativë, tërheqja e një mbrojtësi të specializuar nga rasti 06 për t’u fokusuar vetëm në rastin 12, është rrugë e mundshme. Tjetra, nëse Thaçi nuk ka fonde për një ekip të dytë ligjor, që thuhet se është përtej mjeteve të tij private, rrugë e përshtatshme është t’i qaset administratores me kërkesë për ndihmë ligjore. Rregullat e DHSK-së për ndihmën ligjore i lehtësojnë kërkesat e personave të cilët mund të jenë të varfër ose pjesërisht të varfër. Opsione të arsyeshme dhe pragmatike duhet të preferohen para ndarjes së panevojshme të aktakuzës”, është theksuar në parashtrimin e ZPS-së.

Në Fondacionin “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” u patën ankuar në fillim të vitit 2024 për mungesë të mbështetjes nga Qeveria e Kosovës, një ditë që pasi avokati, Gregory Kehoe, ka vendosur që të tërhiqej nga mbrojtja e Thaçit.

Ky fondacion, për herë të fundit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve me një postim në Facebook, në nëntor të 2024-tës, në të cilën bëhej e ditur edhe mundësia që përkrahja të jepej në një llogari të hapur në Shqipëri.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.