Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se takimi i liderëve politikë i thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk solli asnjë përparim drejt zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar asnjë nga ofertat e propozuara nga partitë opozitare.
“Erdhëm me shpresë në këtë takim, por po shohim që nuk ka shpresë, nuk ka konsensus. Partia në pushtet nuk e ka pranuar asnjë ofertë që e kemi ofruar,” tha Kadrijaj për mediat pas takimit.
Ajo akuzoi Vetëvendosjen se po përdor në mënyrë të njëanshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, duke marrë vetëm pikat që i konvenojnë, ndërsa refuzon të pranojë të tjerat, përfshirë afatin 30-ditor dhe respektimin e mënyrës së votimit.
Kadrijaj e quajti të papranueshme kërkesën e VV-së që të votohet në pako për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
“Kërkuam të mos vazhdohet me votimin e komisionit. Të kthehet votimi i hapur, e më pas është e drejta e LVV-së ta kandidojë secilin që do. Por këta po duan të votohet në pako kryetari bashkë me nënkryetarët – kjo nuk është praktikë e mirë, është antiligjore dhe shkel Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Kadrijaj.
Duke folur për mbledhjen e së dielës, ajo paralajmëroi se nëse vazhdohet me votimin për komisionin për votim të fshehtë, do të bëhet shkelje e qëllimshme e Kushtetutës.
“Nëse edhe nesër i vazhdojmë të njëjtat praktika, ata po e shkelin me qëllim Kushtetutën,” përfundoi deputetja e AAK-së