Topi zyrtar i Botërorit 2026, Adidas Trionda, është kthyer në një nga temat më të diskutuara të turneut, pasi disa portierë dhe ekspertë besojnë se karakteristikat e tij aerodinamike po favorizojnë sulmuesit.
Ish-portieri danez Kasper Schmeichel deklaroi për BBC Radio 5 Live se ky top nuk sillet si modelet e mëparshme.
“Thonë se të gjithë topat janë të njëjtë. Nuk janë. Ky top ka vetëm katër panele, nuk ka qepje, gjithçka është e ngjitur.”
Schmeichel përmendi disa raste ku portierët arritën ta preknin topin, por nuk mundën ta ndalonin, si Jordan Pickford, Luca Zidane ndaj Lionel Messit dhe Édouard Mendy përballë Kylian Mbappé.
“Ky top është ndërtuar që të shohim gola. Ata i projektojnë topat për të prodhuar më shumë gola, u shpreh ish-portieri danez.
Debati është intensifikuar edhe nga një statistikë mbresëlënëse: Botërori 2026 ka regjistruar tashmë 177 gola deri në përfundimin e fazës së grupeve, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 172 golash të vendosur në Katar 2022. Shumë ekspertë besojnë se performanca e Trionda-s mund të ketë ndikuar në rritjen e numrit të golave, së bashku me stilin gjithnjë e më sulmues të skuadrave.
Edhe ish-portieri anglez Joe Hart vuri në dukje se topi mbërrin te portierët “më shpejt sesa duket në momentin që largohet nga këmba e lojtarit”, duke shtuar se porierëve do t’u duhet kohë për t’u përshtatur.
Sipas një studimi të publikuar nga universitetet e Koresë së Jugut dhe Japonisë, Trionda krijon një fenomen aerodinamik të njohur si “drag crisis”, i cili në shpejtësi të caktuara ul rezistencën e ajrit dhe bën që topi të udhëtojë më shpejt nga sa presin portierët.
Në zhvillimin e topit ka kontribuar edhe NASA, së bashku me European Space Agency (ESA). Testimet në tunelet e erës të NASA-s dhe kërkimet e kryera në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) ndihmuan në analizimin e fluturimit, rrotullimit dhe shpërndarjes së peshës së topit, ndërsa teknologjia “Connected Ball” me sensor të integruar synon të ruajë ekuilibrin mes performancës dhe ndihmës për arbitrat.


