Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në lagjen Lachine të Montrealit, ku një grua 34-vjeçare dhe djali i saj trevjeçar humbën jetën pasi u mbytën në një pishinë rezidenciale.
Sipas mediave kanadeze, përfshirë CTV News, shërbimet e urgjencës morën një thirrje në numrin 911 rreth orës 21:35, pas raportimeve për një incident në rrugën 20e Avenue, afër rrugës Provost.
Në vendin e ngjarjes, ekipet e ndihmës së shpejtë gjetën nënën dhe fëmijën pa shenja jete, transmeton IndeksOnline.
“Ata gjetën dy persona pa ndjenja,” deklaroi zëdhënësja e policisë së Montrealit, Caroline Chèvrefils, duke shtuar se “për fat të keq, të dy u shpallën të vdekur në vendngjarje.”
Sipas policisë, ngjarja është cilësuar si aksidentale.
Detaje shtesë ka dhënë edhe kryebashkiakja e zonës Lachine, Maja Vodanovic, përmes një postimi në Facebook. Ajo bëri të ditur se gjithçka kishte nisur kur një top kishte rënë në pishinë, duke shkaktuar një zinxhir ngjarjesh tragjike.
“Ishte një top që ra në pishinë, gjë që shkaktoi një sërë ngjarjesh që çuan në mbytjen e fëmijës trevjeçar dhe nënës së tij 34-vjeçare, e cila u përpoq ta shpëtonte, por për fat të keq nuk dinte not,” shkroi Vodanovic.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat.