Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Fontanës në Kaliforni gjatë fundjavës, ku një grua dhe partneri i saj u qëlluan për vdekje në parkingun e një restoranti sushi, ndërsa personi i dyshuar – bashkëshorti nga i cili ajo po divorcohej – u vra më pas nga një zëvendës sherif që ndodhej jashtë detyrës.
Viktimat janë identifikuar si Gloria Zamora, 40 vjeçe, një influencuese e njohur e rrjeteve sociale dhe trajnere fitnesi, dhe Hector Garduno, 43 vjeç.
Sipas autoriteteve, ata u qëlluan në parkingun e restorantit në Summit Avenue nga Thomas Alberto Tamayo Lizarraga, bashkëshorti nga i cili po divorcohet Zamora, shkruan DailyMail.
Foto: Gloria Zamora/Instagram
Zamora kishte folur vetëm një javë më parë në podkastin Horizon për sfidat që po përjetonte gjatë procesit të divorcit.
Ajo frymëzonte me mijëra ndjekës – veçanërisht gra në marrëdhënie apo me familje – të ruanin forcën fizike dhe mendore, duke promovuar një jetë të shëndetshme pavarësisht vështirësive personale.
“Bashkëshorti i larguar e kishte ndjekur, nuk dihet saktësisht se si e gjeti vendndodhjen e saj, por ajo kishte qenë aty për afërsisht një orë”, tha oficeri Steve Reed i Policisë së Fontanës.
Pas të shtënave, një zëvendës sherif i Qarkut San Bernardino, i cili ndodhej rastësisht në zonë dhe jashtë detyrës, ndërhyri menjëherë. Ai dëgjoi të shtënat, u kthye dhe u përball me të dyshuarin, duke e qëlluar për vdekje gjatë konfrontimit.
Tragjedia ka lënë pas shumë dhimbje. Gloria Zamora ishte nënë e shtatë fëmijëve, ndërsa Garduno ishte baba i katër vajzave. Vajza e Zamorës konfirmoi përmes një faqeje GoFundMe se njerku i saj ishte autori i vrasjes.
Familjarët e dy viktimave kanë hapur faqe për mbështetje financiare dhe për të nderuar kujtimin e tyre, duke i përshkruar si prindër të përkushtuar dhe njerëz që frymëzonin komunitetin.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet. Emri i oficerit që ndërhyri nuk është bërë ende publik.
Sipas Linjës Kombëtare të Thirrjes Kundër Dhunës në Familje, gratë që ndodhen në fazën e ndarjes ose divorcit janë në një nga periudhat më të rrezikshme për dhunë nga partnerët intimë – një statistikë që ky rast tragjik fatkeqësisht e konfirmon. /Telegraf