Ndërsa Brikena Selmani po i afrohet finales së Big Brother VIP Albania dhe vazhdon garën brenda shtëpisë, jashtë saj është rikthyer në qendër të vëmendjes për një arsye krejt tjetër, transmeton Raporto24.
Një episod i programit Doktor Plastik, i transmetuar së fundmi, ka bërë bujë në rrjetet sociale pasi ka shfaqur pamje nga ndërhyrjet estetike të Brikenës, të realizuara muaj më parë. Në këtë episod, i xhiruar gjatë verës, zbulohet se ajo i është nënshtruar një procedure “temporal lift”, që përfshin ngritjen e zonës së syve, vetullave dhe mollëzave.
Pamjet nga salla e operimit, të konsideruara të forta për publikun, u shpërndanë me shpejtësi në rrjet dhe nxitën reagime të shumta, sidomos duke pasur parasysh ekspozimin aktual të saj në reality show.
Megjithatë, ajo që ngriti më shumë pikëpyetje ishte koha e publikimit të këtij episodi, pikërisht në fazën përfundimtare të rrugëtimit të saj në spektakël.
Përballë aludimeve, produksioni i “Doktor Plastik” reagoi me një deklaratë zyrtare, duke sqaruar se materiali është realizuar shumë kohë përpara hyrjes së Brikenës në “Big Brother VIP Albania” dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet aktuale në shtëpi.
Sipas tyre, transmetimi në këtë periudhë nuk ka qenë i rastësishëm, por është bërë me kërkesë të vetë Brikenës. Ky vendim, siç thuhet në reagim, është marrë për të shmangur çdo ndikim në imazhin e saj gjatë pjesëmarrjes në reality show.
Në përfundim, produksioni theksoi se gjithçka është realizuar në përputhje me marrëveshjen dhe me transparencë të plotë, duke u bërë thirrje publikut dhe mediave që të mbështeten në fakte dhe jo në spekulime.


