Bashkimi Evropian po vepron “në mirëbesim” për të siguruar zbatimin e marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara, e cila duhet të bazohet në “respekt” dhe jo në “kërcënime”, deklaroi komisioneri evropian për tregtinë, Marosh Shefçoviq, pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trumpit mbi mundësinë e vendosjes së tarifave doganore prej 50 për qind.
Lideri amerikan u shpreh se nuk është “në kërkim të një marrëveshjeje tregtare” me Bashkimin Evropian, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 50% për importet nga 27 ven
BE-ja është plotësisht e angazhuar dhe e vendosur të sigurojë një marrëveshje që funksionon për të dyja palët”, shkroi Shefçoviq në platformën X, pas një takimi me përfaqësuesin amerikan për tregtinë Jamieson Greer dhe ministrin e Tregtisë, Howard Lutnick.
Tregtia midis BE-së dhe SHBA-së duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë dhe jo nga kërcënimet. Jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”, shtoi komisioneri evropian.
Spoke w @jamiesongreer & @howardlutnick. The EU's fully engaged, committed to securing a deal that works for both. @EU_Commission remains ready to work in good faith. EU-US trade is unmatched & must be guided by mutual respect, not threats. We stand ready to defend our interests. pic.twitter.com/RfIo5K4aus
— Maroš Šefčovič🇪🇺 (@MarosSefcovic) May 23, 2025
Në fillim të muajit maj, BE-ja kishte kërcënuar me vendosjen e tarifave ndaj importeve amerikane në vlerë prej 95 miliardë eurosh, që përfshijnë veturat dhe aeroplanët, nëse dështojnë negociatat tregtare me administratën Trump. Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu se do të paraqesë ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO) për masat tregtare që po ndërmarrin Shtetet e Bashkuara ndaj saj.
Në muajt e fundit, BE-ja është goditur tri herë nga tarifat e vendosura nga administrata amerikane: 25 për qind për çelikun dhe aluminin (të shpallura në mes të marsit), 25 për qind për veturat dhe më pas 20 për qind për të gjitha produktet e tjera evropiane në prill.
Tarifat më të fundit të shpallura janë pezulluar deri në korrik për t’u dhënë mundësi negociatave, por tarifat prej 10 për qind vazhdojnë të aplikohen për shumicën e mallrave që eksportohen nga 27 vendet anëtare të BE-së në SHBA.
Donald Trump e ka sulmuar rregullisht Evropën që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë, duke e cilësuar atë, sipas fjalëve të tij, “më të keqe se Kina” në marrëdhëniet tregtare.
Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë deficitin e tyre tregtar me BE-në për vitin 2024 në 235 miliardë dollarë në tregtinë e mallrave, por Komisioni Evropian thekson se suficiti amerikan në shërbime e ul këtë deficit në rreth 50 miliardë euro (rreth 57 miliardë dollarë). /Telegrafi/