Presidenti Donald Trump ka miratuar një marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite, e cila mund t’i hapë rrugën mbretërisë për ta pasuruar vetë karburantin për reaktorët civilë, sipas një zyrtari amerikan, raporton CNN.
Sipas zyrtarit, marrëveshja do të zgjasë 30 vjet dhe mund të shpallet që sot. Ai shtoi se marrëveshja do të përfshijë kompani amerikane që do të ofrojnë teknologji dhe ekspertizë për zhvillimin e programit saudit.
Administrata Trump synon ta dërgojë marrëveshjen në Kongres pasi ajo të shpallet.
Çdo marrëveshje që i jep Arabisë Saudite qasje në teknologjinë bërthamore mund të rezultojë e debatueshme, si brenda SHBA-së ashtu edhe në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, pasi aftësia për të pasuruar karburantin bërthamor, të paktën në teori, mund të çojë me kalimin e kohës në krijimin e armëve bërthamore.
Sipas zyrtarit amerikan, marrëveshja përfshin kufizime lidhur me inspektimet që mund të kryhen ndaj programit saudit, gjë që mund të ngjallë skepticizëm te ligjvënësit.
Izraeli, për të cilin besohet gjerësisht se zotëron armë bërthamore të padeklaruara, prej kohësh ka shprehur shqetësim për mundësinë që Arabia Saudite të ketë qasje në teknologjinë bërthamore.
Irani, rivali kryesor rajonal i Arabisë Saudite, zotëron një rezervë uraniumi të pasuruar dhe është zotuar se do ta vazhdojë programin e tij bërthamor edhe pas muajsh bombardimesh amerikane, duke këmbëngulur se ai shërben vetëm për qëllime civile


