Një nga momentet më të forta emocionale në Ferma VIP ka ardhur nga banorja Elinara, e cila ka rrëfyer një përvojë të tmerrshme që ka përjetuar në moshën 18-vjeçare, kur ishte vetëm një vajzë e re që kërkonte pavarësi duke tentuar të punonte vetë.
“Gjatë pushimeve të verës, doja të isha e pavarur nga prindërit. Fillova punë në një butik. Një ditë po prisja autobusin për në punë dhe një komshi më ofroi të më çonte me një mikun e tij. E njihja, përshëndeteshim çdo ditë nuk kisha pse mos ta besoja,” tregoi Elinara.
Por ajo që nisi si një ditë e zakonshme, u kthye në një ngjarje që do të mbetej një traumë në jetën e saj përgjithmonë.
“Makina mori një drejtim tjetër nga ai i qëndrës, dhe shpejt situata u bë e frikshme. Shoferi kishte një vështrim të egër. U ktheva dhe pashë komshiun tim, ai më bëri shenjë me gisht ‘shttt’. Më kërcënuan: ‘Do të të vrasim.’ Në atë moment e kuptova që duhej të veproja,” vazhdoi Elinara duke shtuar se iu desh të hidhej nga makina: “Hapa siguresën e makinës dhe u hodha nga makina në lëvizje. Rashë në rrugë pa ndjenja. Gjunjët, bërrylat, gishtat, ishin të gjithë të gjakosur. Por gjesti që bëra më shpëtoi jetën. Më mirë të humbja jetën, sesa të bija në duart e tyre.”
Ajo rrëfeu se kjo ngjarje e la me pasoja të thella psikologjike:
“Më ka lënë një traumë. Kishte shumë raste të përdhunimeve atëherë. Kisha frikë të dilja nga shtëpia. S’isha më e qetë, as kur isha vetëm, as kur isha me njerëz,” perfundoi ajo.
Në fund, Elinara u shpreh se për vite me radhë e kishte mbajtur këtë histori për vete, pa e ndarë me prindërit, nga frika se do t’i shqetësonte.