Pas dy ditësh ndalim nga autoritetet serbe, Arbnor Spahiut, ish-zyrtar i Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga një gjykatë në Serbi.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Arianit Koci.
Ky vendim është cilësuar i padrejtë, i motivuar politikisht dhe pa asnjë provë apo bazë faktike.
Koci ka kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë të shtetit të Kosovës – jo vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd – por edhe nga vetë krerët e shtetit, Kryeministri dhe Presidentja.
“Së paku një reagim të qartë dhe publik. Sepse asnjë qytetar i këtij vendi nuk guxon të lihet vetëm, kur përsekutohet padrejtësisht”, ka deklaruar Koci.
Ai ka shtuar se përballë mungesës së veprimeve të institucioneve, po i duhet personalisht ta mbrojë të drejtën e klientit të tij.
“Nesër nisem drejt Suboticës”, ka bërë të ditur Koci, duke njoftuar se do të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë rast./Telegrafi/