Gjatë javës janë raportuar disa raste të zjarreve, përfshirë vende në komunën e Ferizajt, Shtimes dhe Hani Elezit.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se policia është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet lokale dhe agjencitë përgjegjëse për të parandaluar dhe lokalizuar çdo rrezik potencial nga zjarret.
Siç thuhet në njoftim aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive të zjarrit në rajonin e Ferizajt.
“Megjithatë, policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra të thata, duke shmangur në çdo rrethanë djegien e mbeturinave, hapësirave fushore apo pyjore. Pasojat e zjarreve mund të jenë të rënda, të pakthyeshme dhe me rrezik për jetën, mjedisin dhe pronën. Policia do të veprojë pa kompromis ndaj çdo personi që, me dashje apo nga pakujdesia, shkakton zjarr”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, nga policia bëjnë të ditur se të gjithë personat që kryejnë zjarrvënie të qëllimshme ose për shkak të neglizhencës, do të përballen me masa ligjore dhe procedura penale sipas legjislacionit në fuqi.
“Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe në rast se kanë informacione për persona që shkaktojnë zjarrvënie, të njoftojnë menjëherë policinë në stacionin më të afërt, ose përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ “, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/