Shkeljet e rregullave të trafikut rrugor vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë publike. Për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur vetëdijen e pjesëmarrësve në komunikacion, Policia e Kosovës ka shtuar ndjeshëm kontrollet në rrugët e Prishtinës dhe fshatrave përreth.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prishtinë është duke zbatuar kontrolle të shtuara me vetura inteligjente, të pajisura me teknologji të avancuar për njohjen automatike të targave, që ndihmon në identifikimin e shpejtë të shkelësve.
“Njësia rajonale e trafikut rrugor të Prishtinës, po vazhdon zbatimin e kontrolleve të shtuara në trafikun e qyteteve dhe fshatrave me veturat inteligjente, pasi që të njëjtat janë të pajisura me teknologji të avancuar për njohjen automatike të targave, duke mundësuar veprim të shpejtë dhe efikas,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Kontrollet kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shoferëve që nuk respektojnë Kodin Rrugor, sidomos ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme në trafik.
“Qëllimi i këtyre kontrolleve është rritja e sigurisë në komunikacion dhe parandalimi i aksidenteve, përmes identifikimit dhe ndëshkimit të shkeljeve për mos respektim të kodit rrugor si dhe sjellje të papërgjegjshme në komunikacion.”
Policia ka theksuar se fokusi kryesor do të jetë në tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, mungesën e rripit të sigurisë, tejkalimet e rrezikshme dhe veturat e paregjistruara.
Përmes këtij aksioni, Policia kërkon nga qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë për të garantuar një ambient më të sigurt në rrugë.