Prizren, 11 maj 2025 – Një ngjarje tragjike dhe e dyshimtë ka ndodhur në zonën malore mes fshatrave Lubizhdë dhe Skorrobisht në Prizren, ku një i ri ka humbur jetën si pasojë e një plage nga arma e zjarrit. Viktima është identifikuar si Anton Tunaj, 24 vjeç.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Tunaj kishte shkuar në malësi bashkë me Samel Jusufin (23), Diart Bytyqin (24) dhe një të mitur me inicialet A.J., për të testuar një armë zjarri të llojit Zoraki 917-T. Dyshohet se Tunaj kishte për qëllim ta blinte armën nga Jusufi.
Bazuar në deklarimet paraprake të të dyshuarve, Tunaj ka qëlluar fillimisht tri herë në tokë dhe më pas ka shtënë në drejtim të kokës, duke i shkaktuar vetes vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj, të pranishmit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas janë paraqitur në polici për të raportuar rastin.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren, krim-teknikët, balistikët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, përfaqësues të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe prokurorët përgjegjës. Gjatë kontrollit, është sekuestruar arma Zoraki 917-T (pa fishekë) dhe disa prova të tjera materiale që lidhen me rastin.
Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML, ndërkohë që Prokuroria ka nisur hetime për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Samel Jusufi dhe Diart Bytyqi janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri A.J. është ndaluar për 24 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.
Hetimet për këtë rast me dyshime të rënda penale janë në zhvillim nga autoritetet hetimore.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim përfundimtar të gjykatës.