Vanesa Koxha nga Kaçaniku i Kosovës ishte viktima e tretë me origjinë shqiptare nga përmbytjet në Gjermani. Vajza shqiptare jetonte me prindërit në Gjermani prej shumë vitesh, ndërsa lajmin e ndarjes nga jeta që ka shkaktuar shumë tronditje e dha familja ditën e djeshme. Postimet e të afërmeve në Kosovë dhe Gjermani kanë qenë të shumta duke i shprehur ngushëllimet familjes.
“Nga vërshimet në Gjermani humb jetën Vanesa Emin Koxha. Ikja jote nga kjo botë ishte lajm i rëndë për familjen tonë. Do na mungosh shumë Vanesa” shkruan një i afërm i vajzës që ndërroi jetë.
Edhe kreu i komunës së Kaçanikut ka ngushëlluar familjen me një telegram. “Me dhembje e pikëllim të jashtëzakonshëm morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të kaçanikases Vanesa Koxha, e cila humbi jetën tragjikisht nga vërshimet në Gjermani.
Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Koxha, të afërmit dhe për të gjithë qytetarët e Komunës së Kaçanikut, për këtë humbje të madhe, ndërsa solidarizohemi dhe lutemi për viktimat nga vërshimet e fundit që pllakosën disa vende të Evropës” shkruan ai. Si pasojë e përmbytjeve në Gjermani humbi jetën edhe një çift nga Peja.