Burgimi i përjetshëm është dënimi më i rëndë në Kosovë, i cili mund të shqiptohet në rast të kryerjes së një prej 36 veprave penale.
Dënimi me burgim të përjetshëm, si dënimi më i rëndë, në mesin e sanksioneve penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka gjetur vend në këtë të fundit pas abrogimit të dënimit me vdekje me Rregulloren e UNMIK-ut, duke zëvendësuar kështu dhe dënimin me burgim afatgjatë, të përcaktuar sipas Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës.
Koncepti i dënimit me burg të përjetshëm, synon të sigurojë drejtësi për viktimat dhe që i dënuari të mos mund të kryejë krime të ngjashme.
Disa nga veprat penale, për të cilat mund të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm, janë:
Tradhtia ndaj vendit,
– Vrasja e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës,
– Pranimi i kapitullimit dhe okupimit,
– Spiunazhi,
– Terrorizmi,
– Gjenocidi,
– Krimet e luftës,
– Krimet kundër njerëzimit,
– Trafikimi me njerëz,
– Vrasja e rëndë,
– Dhunimi,
– Hakmarrja,
– Marrja e pengjeve,
– Rrëmbimi i fluturakes.
Nëse dikush dënohet me burgim të përjetshëm, nuk do të thotë se jeta tij do të përfundojë brenda grilave. Kjo ngase, sipas nenit 90 të Kodit Penal, pasi i dënuari mban 30 vjet burg, i vjen mundësia në përputhje me standardin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që të paraqesë kërkesë për lirim me kusht tek institucioni korrektues.
Për shqiptimin e këtij dënimi, sipas Kodit Penal, kërkohet që vepra penale të jetë e rëndë dhe e kryer në rrethana rënduese, apo që ajo vepër penale të ketë shkaktuar pasoja shumë të rënda.
Pos kushteve, Kodi Penal ka paraparë edhe kufizime kur dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të shqiptohet:
Dënimi me burgim të përjetshëm nuk parashihet si dënim i vetëm për një vepër penale,
2. Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushur 21 vjet,
3. Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.
Si mund të lirohet me kusht dikush që është dënuar me burgim të përjetshëm?
– Kjo mund të ndodhë vetëm pasi i dënuari ka mbajtur 30 vjet burg nga dënimi i shqiptuar.
– Periudha minimale e mbikëqyrjes nga ana e shërbimit sporvues do të jetë së paku 5 vjet.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë monitorimit sistematik që i bën sistemit të drejtësisë, ka gjetur se në periudhën 2019-2023 janë shpallur 9 aktgjyime me burgim të përjetshëm ndaj 9 personave. Por, asnjë nga këto dënime nuk ka arritur të bëhet i plotfuqishëm.
Këto dënime janë shfuqizuar nga Gjykata e Apelit ose nga Supremja. Madje, në rastin e Donjeta Pajazitajt, Supremja e ka liruar nga akuza Naser Pajazitajn, të cilin Themelorja e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Në analizën mbi dënimin me burgim të përjetshëm, publikuar më 21 nëntor 2023, IKD thekson se rishikimi i dënimit me burgim të përjetshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës është në përputhje me të drejtat themelore të njeriut dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së.
“Ndërsa, sa i përket Republikës së Kosovës, legjislacioni penal ka ofruar mekanizma për lirim të të dënuarve me burgim të përjetshëm, duke themeluar Panelin për Lirim me Kusht. Në linjë me jurisprudencën e GJEDNJ-së është lejuar mundësia që i dënuari me burgim të përjetshëm të mund të lirohet me kusht në mënyrë që të mos cenohet neni 3 i KEDNJ-së. Andaj, sigurimi i një mekanizmi për rishikim siç e ka edhe sistemi juridik i Republikës së Kosovës është në përputhje me të drejtat themelore të njeriut dhe ofrimin e mundësisë për risocializim, si qëllimi kryesor i të drejtës penale”, thuhet nga IKD. Kurse, detajet e raportit me titull: “Analizë mbi dënimin me burgim të përjetshëm”, mund t’i gjeni këtu: ANALIZE-MBI-DENIMIN-ME-BURGIM-TE-PERJETSHEM.pdf.
Si është gjendja e të dënuarve me burgim të përjetshëm në Evropë?
Deri vonë, i dënuari me burgim të përjetshëm në Holandë mund të dilte nga burgu vetëm me falje të monarkut.
Lituania njihte faljen presidenciale pas 10 vjetëve vuajtje dënimi. Kurse, Hungaria parashihte procedura të flajes që mezi ofronin mundësi të lirimit me kusht.
Këto praktika nuk janë në përputhje me frymën e vendosur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në raport me të dënuarit me burgim të përjetshëm. Këto shtete, së fundmi kanë reflketuar dhe të dënuarve me burgim të përjetshëm iu kanë ofruar mundësi për t’u liruar.
Paralelisht në Skandinavi vazhdimisht ngritet ideja e përjashtimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Kjo meqë atje dënimi i përjetshëm s’ishte gjithmonë i përjetshëm, pasi dikur vinte falja.
Suedia, dënimin maksimal e ka me 18 vjet burgim, ndërsa Norvegjia nuk ka asnjë dispozitë për burgim të përjetshëm, përveç faktit se gjykata mund të urdhërojë “Burgim parandalues” nëse i dënuari paraqet rrezik për shoqërinë.
Drejtësia “brutale” për të dënuarit me burgim të përjetshëm në SHBA:
Dënimi me burg të përjetshëm në SHBA arriti popullaritetin e tij kur u ndalua dënimi me vdekje gjatë viteve 1972-1976.
Në Amerikë kemi burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht dhe pa mundësi të lirohesh ndonjëherë. Edhe pse quhet burgim i përjetshëm pa mundësi lirimi, rasti Schick VS Reed, vërtetoi se ekzistojnë mjete juridike që mundësojnë falje të plotë presidenciale.
Me një fjalë, mundësia për lirim kur burgimi është i përjetshëm pa mundësi lirimi, në fakt është veç “mundësi teorike”.
E për mundësi të lirimit për të burgosurin e përjetshëm, gjykata mund të ushtrojë diskcrecion në bazë të natyrës së veprës penale duke vendosur në mes intervalit prej 15 diri më 25 vjet. Por, varësisht nga natyra e veprës penale ky interval mund të reduktohet. /BetimipërDrejtësi