Pasiguria në parkun më të frekuentuar të Prishtinës po rritet.
Sot rreth orës 11:00, Prokuroria është njoftuar për një rast vjedhjeje që ka ndodhur mbi pishinën e Gërmisë, afër restorantit “SunHouse” në rrugën “Sabit Vllahiu”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima, V. I. kishte parkuar veturën e saj rreth orës 09:00 dhe kishte dalë për ecje. Në veturë, në dollapin e përparmë, kishte lënë kuletën me dokumentet personale, rreth 200 euro para të gatshme, të cilat i janë marrë nga hajni.
Rreth një orë më vonë, kur ishte kthyer, ka parë që xhami i pasëm i veturës ishte thyer dhe kuleta mungonte. Policia është lajmëruar menjëherë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe kanë konstatuar gjurmët e vjedhjes.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, thyerja e veturës ishte parë nga kalimtarë të rastit, të cilët e kanë përshkruar si një veprim të shpejtë të personave ende të paidentifikuar. Pas njoftimit të policisë, është kontaktuar edhe njësia e krimteknikës për dokumentimin dhe fotografimin e dëmeve.
Më pas, viktima është shoqëruar në stacionin policor për të dhënë deklaratë dhe rasti është iniciuar si “Vjedhje e Rëndë”, me udhëzim të personave kompetent.
Kjo ngjarje nënvizon nevojën urgjente për rritjen e pranisë policore dhe sistemit të monitorimit në parkun e Gërmisë, ku siguria e qytetarëve po cenohet gjithnjë e më shumë.