Në Prishtinë ka nisur Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një ngjarje me përmasa globale që po zhvillohet nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete dhe mbi 30 panele diskutimi, forumi ka për qëllim thellimin e dialogut për rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në botë, shkruan IndeksOnline.
Në fjalën e saj hapëse, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe rolin jetik që gratë kanë luajtur dhe vijojnë të luajnë në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.
Fjalimi i saj:
Hapja e këtij forumi është një nga momentet më kuptimplota të këtij viti. Këtu në Kosovë, ne nuk flasim për paqen nga largësia ne flasim për paqen nga barra e kujtesës. Jo vetëm si një barrë për të mbajtur, por si një kujtim për të shpërndarë një porosi. Ne, në Kosovë, e kemi ditur gjithmonë se paqja nuk mund të mbijetojë pa lidershipin e grave. Dy dekada e gjysmë më vonë, unë vazhdoj të besoj se këto parime duhet të bëhen realitet. Dy dekada më parë, fëmijët tanë ishin dëshmitarë të tmerrit. Në orët më të liga dhe më të errëta, ishin gratë e këtij vendi që na mbajtën gjallë. Ato nuk pranuan të shihen si viktima por si ndërtuese të paqes. Historitë e fëmijëve të Kosovës nuk janë thjesht rrëfime të zakonshme fëmijësh, por copa të gjalla nga plagët e luftës. Tingulli më i dhimbshëm nuk është gjithmonë vajtimi është heshtja. Tema e këtij viti është më shumë se një titull. Është një thirrje për të thyer ciklin e dhunës”.