Një ngjarje tronditëse familjare ka ndodhur sot në mëngjes në qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk ka vrarë vajzën e tij 15-vjeçare me thikë, dhe ka plagosur rëndë edhe vajzën tjetër, 11 vjeçe.
Burime ekskluzive të Gazetës Sinjali konfirmojnë se tragjedia ka ndodhur sot, më 06.05.2025, rreth orës 05:50, në afërsi të autolarjes “Syle Buleci” në rrugën “Shote Galica”, ku ndodhen disa banesa kolektive.
Fillimisht, një ekip i urgjencës kishte pranuar një thirrje për një person të lënduar, por pasi kishin arritur në vendin e ngjarjes, kishin hasur një burrë me thikë në dorë, çka i kishte detyruar të kërkonin ndihmën e menjëhershme të Policisë.
Patrullat kanë reaguar me shpejtësi dhe kanë arrestuar në vend të dyshuarin Mehmet Görenç, shtetas turk, i cili dyshohet se me mjet të mprehtë (thikë) ka sulmuar dy vajzat e tij të mitura.
Sipas ekipit të emergjencës, vajza 15-vjeçare ka ndërruar jetë në vend, ndërsa vajza tjetër 11-vjeçare është transportuar me urgjencë në spital, ku po trajtohet për plagë të rënda.
Naser Syla, shef i emergjencës ka thënë se gjendja e 10-vjeçares tani është stabile.
“Gjendja e saj tani është stabile, po trajtohet këtu tek ne. Po kryhen të gjitha ekzaminimet”, tha shkurtimisht Syla.
dyshuari është arrestuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore në spital, pasi edhe ai kishte pësuar lëndime, që dyshohet se i ka shkaktuar vetes pas kryerjes së aktit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi.
“Sot më datë 06.05.25 rreth orës 05:57 policia përmes telefonit ka marrë informatën se në rrugën “Shote Galica ” në Prizren ndodhet një person i lënduar dhe se emergjenca mjekësore nuk po mund t’i jep ndihmë ngase një i dyshuar ndodhet me thikë ne dorë. Në atë drejtim janë nisur katër patrulla policore. Në vend ngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G. viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend të ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë”, theksoi ai.
Bytyqi shtoi se i dyshuari ka lënduar veten dhe se ai tashmë gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Zëdhënësi pohoi se lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e tij, 35 vjeçare.
“Të gjithë këta janë familjar mes vete dhe janë shtetas të Turqisë me banim të përkohshëm në Prizren”, nënvizoi ai.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.