Intensiteti i sulmeve të Iranit duket se po bie ndërsa po i harxhon rezervat e tij. Ndërkohë, Izraeli po i konsumon furnizimet e tij me interceptues të shtrenjtë të raketave. Gazeta The Washington Post ka analizuar se sa mund të zgjasë lufta me këtë intensitet.
Që nga e premtja, e njëjta skenë dramatike është përsëritur më shumë se gjashtë herë mbi qiellin e Izraelit: një breshëri raketash balistike iraniane vijnë me shpejtësi. Një valë e interceptuesve mbrojtës izraelitë ngrihet për t’i rrëzuar shumicën, por jo të gjitha raketat.
Një pyetje kyçe është sa gjatë mund ta mbajë këtë secila palë. Përgjigjja mund të ndikojë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e konfliktit.
Zyrtarët e inteligjencës izraelite vlerësojnë se Irani kishte rreth 2,000 raketa me rreze deri në 1,200 milje për ta goditur Izraelin, por një pjesë e konsiderueshme u shkatërrua menjëherë nga operativët sekretë izraelitë në Iran dhe nga sulmet ajrore që Izraeli i nisi të premten herët, duke nisur konfliktin.
Që atëherë, zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se Irani ka lëshuar afërsisht 400 raketa nga rezerva e mbetur dhe sulmet izraelite kanë eliminuar 120 ose një të tretën e lëshuesve të raketave iraniane. Për më tepër, zyrtarët izraelitë njoftuan të hënën se kanë arritur epërsi ajrore mbi Teheranin më shpejt se sa ishte parashikuar, që do të thotë se mund ta kufizojë më tej aftësinë e forcave iraniane për të lëshuar raketa.
Tashmë, intensiteti i sulmeve iraniane duket se po bie ndjeshëm. Pasi lëshoi mbi 150 raketa natën e parë të konfliktit, të premten, Irani lëshoi vetëm 10 raketa të martën pasdite.
“Irani duhet të bëjë një llogaritje shumë, shumë të vështirë, sepse ka një sasi të kufizuar raketash dhe me ritmin aktual, nuk mund t’i rimbushë rezervat në kohë reale”, tha Fabian Hinz, analist ushtarak në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Ai theksoi se edhe ato 150 raketa të së premtes ishin më pak se 200 që Irani i lëshoi ndaj Izraelit në tetor, në hakmarrje për vrasjen e liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut.
Megjithatë, analistët izraelitë paralajmërojnë se më shumë se gjysma e arsenalit të Iranit mbetet e paprekur dhe një sasi e panjohur raketash mund të jetë e fshehur në depot nëntokësore.
Ndërkohë, mbrojtja është bërë shumë e kushtueshme për Izraelin. Gazeta financiare izraelite The Marker raportoi se mbrojtja kundërraketore i kushton Izraelit deri në 1 miliard shekelë (rreth 285 milionë dollarë) në natë.
Si rezultat, vëzhguesit thonë se një luftë e gjatë midis Izraelit dhe Iranit mund të mos jetë e mundur – të paktën jo me këtë intensitet, shkruan The Washington Post, përcjell Gazeta Express.
Pa furnizime të reja nga Shtetet e Bashkuara ose një përfshirje më të madhe të forcave amerikane, disa vlerësime sugjerojnë se Izraeli mund ta mbajë mbrojtjen e tij kundërraketore vetëm edhe për 10 deri në 12 ditë të tjera nëse Irani vazhdon me të njëjtin ritëm, tha një individ i informuar mbi vlerësimet e inteligjencës amerikane dhe izraelite, duke shtuar se në fund të kësaj jave, sistemet e Izraelit mund tb jenë tënë në gjendje të kapin vetëm një përqindje më të vogël të raketave, për shkak të nevojës për t’i kursyer municionet mbrojtëse. “Ata do të duhet të zgjedhin se çfarë duan të kapin”, tha ky burim i cili foli në kushte anonimiteti për këtë çështje të ndjeshme. “Sistemi tashmë është i mbingarkuar
Tal Inbar, një ekspert izraelit për raketat i lidhur me Aleancën për Mbrojtjen Kundërraketore në Virginia, kujtoi se në vitin 2014, Izraeli kërkoi një armëpushim me Hamasin disa ditë përpara se të mbaronte me interceptues ajrorë. Ai tha se sasia e stokut të interceptuesve është një çështje shumë e ndjeshme në Izrael, por “mund të jetë një faktor në një armëpushim” edhe këtë herë.
Izraeli përdor një sistem të shumëfishtë të mbrojtjes ajrore, që përfshin Iron Dome për raketat me lartësi të ulët; David’s Sling dhe Arrow për raketat balistike; dhe sistemet e shtrenjta Patriot dhe THAAD të siguruara nga SHBA.
Inbar tha se problemi për Izraelin është se varet shumë nga sistemi Arrow, i cili lëshon raketa që kushtojnë 3 milionë dollarë secila, për t’i përballuar raketat e rënda iraniane. Iron Dome, edhe pse e lirë dhe e prodhuar në masë, është po aq e padobishme ndaj raketave të avancuara iraniane sa “të qëllosh me një pistoletë 9 mm” ndaj një rakete që fluturon në shtresat e jashtme të atmosferës me disa herë shpejtësinë e zërit.
Të premten në mbrëmje, mbrojtja ajrore izraelite dështoi t’i ndalonte raketat iraniane që pothuajse goditën selinë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, duke goditur Tel Avivin qendror. Të dielën në mbrëmje, një raketë iraniane ndaloi funksionimin e një rafinerie të madhe nafte pranë Haifës.
Të martën në mëngjes, video të postuara në rrjetet sociale – të verifikuara nga The Washington Post – tregonin katër goditje të raketave iraniane pranë selisë së inteligjencës izraelite, në veri të Tel Avivit. Asnjë nga katër raketat nuk goditi selinë e Mossadit, por njëra ra brenda Kampit Moshe Dayan, një vend ku ndodhet selia e inteligjencës ushtarake izraelite dhe Njësia 8200, njësia kryesore e inteligjencës elektronike e Izraelit.
Media shtetërore iraniane raportoi se Garda Revolucionare Islamike kishte vrarë zyrtarë të inteligjencës dhe ushtrisë izraelite, por këto pretendime nuk u konfirmuan. IDF nuk u përgjigj menjëherë ndaj kërkesës për koment.
Deri të martën, qeveria izraelite tha se vetëm 35 nga 400 raketat iraniane kishin bërë impakt – një normë suksesi për interceptim mbi 90 për qind. Janë vrarë 24 persona dhe më shumë se 600 janë plagosur, sipas qeverisë.
Autoritetet iraniane thanë se deri të dielën ishin vrarë 224 persona nga sulmet izraelite, sipas të dhënave më të fundit. Nuk u bë dallim mes viktimave ushtarake dhe civile. Në disa raste, raketat dhe dronët izraelitë kanë goditur ndërtesa të banuara për të vrarë zyrtarë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë në shtëpitë e tyre. Të hënën, Izraeli goditi selinë e transmetuesit shtetëror të Iranit pasi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, premtoi se “zëri i propagandës iraniane” do të “zhdukej”. Pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kishin goditur një “qendër komunikimi ushtarake” iraniane, por nuk dhanë prova për praninë ushtarake në vendin e goditur.
Jim Lamson, një ish-analist i inteligjencës i specializuar në municionet iraniane dhe tani studiues i lartë në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes në Institutin Middlebury, tha se aftësitë raketore të Iranit do të vazhdojnë të bien, pasi Izraeli tani po synon objektet e prodhimit të tyre.
“Duke supozuar se regjimi i tyre nuk ndryshon, ose nëse ata nuk bien dakord të heqin dorë nga raketat si pjesë e një armëpushimi, ata do të përballen me një problem të madh për t’i rindërtuar forcat e tyre me raketa balistike”, tha Lamson. “Kjo do të jetë një pasojë e madhe nga sa shumë Izraeli arrin t’i dëmtojë dhe shkatërrojë kapacitetet e tyre prodhuese për raketa”.