Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Sami Lushtakut për kryetar të Komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lushtaku përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj e ka mbështetur kandidaturën e tij në mënyrë unanime.
“Ky vendim i imi erdhi si përgjigje ndaj besimit tuaj të vazhdueshëm ndaj meje në çdo palë zgjedhje, prej që jam futur në politikë”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka kujtuar sfidat me drejtësinë gjatë periudhës 2013–2017 kur, sipas tij, mbajti 4 vite e gjysmë burgim për një proces nga i cili më pas u shpall i pafajshëm. Gjithashtu, ai ka përmendur ndalimin e kandidimit të tij në zgjedhjet e vitit 2021 nga KQZ, për çka fajëson presionet politike nga pushteti i atëhershëm.
“Kandidimi im është thirrje për bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt,” ka deklaruar ai, duke shtuar se programin e tij të plotë do ta paraqesë në javët në vijim.
Në fund, Lushtaku ka falënderuar edhe kryetarin aktual të Komunës, Fadil Nura, për bashkëpunimin dhe punën gjatë mandatit të tij./Raporto24/