Kryeministri Albin Kurti ka thënë se draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues në takimin me presidentin serb, ka qenë fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.
Pas takimit, para mediave Kurti ka thënë se ka propozuar një draft të cilin ai e ka quajtur “draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
“Në këtë takim pas marrëveshjes [për të pagjeturit ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft-statut në gjithsej 67 nene dhe më pas dhamë qëndrimi tonë se një draft i tillë çfarë dëgjuam e lexuam është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj ne do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Me këtë rast unë propozova një draft vizion si kryeministër përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10. Gjithsej në 10+1 pika kam propozuar një vizion se si do duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”.
Kryeministri i Kosovës ka treguar se gjatë takimit ka dorëzuar edhe një dokument se si nga 27 shkurti kur është arritur marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia e ka shkelur atë.
“Në këtë dokument shihet qartë, e në mënyrë faktike e të dokumentuar, se nga 11 nene të marrëveshjes bazë, tetë prej tyre i ka shkelur Serbia. Vetëm në muajt mars e prill janë shkelur tetë nene. Dorëzova edhe një dokument me tri deklarata të presidentit të Serbisë ku ai thotë se nuk është pajtuar me marrëveshjen bazë që ta zbatojë në tërësi”, tha Kurti.
Ai ka treguar se ka kërkuar garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, dhe nga emisari për dialogun Miroslav Lajçak, nëse ka dakordim. Kurti tha se këtë garanci e ka marrë. Kurti po ashtu ka treguar se ka dorëzuar edhe një dokument për anëtaren e Ekipit Menaxhues të hartimit të draft-statutit për Asociacionin, Danijela Vujiçiq.