Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka shkarkuar dy Komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore.
Këtë e ka bërë të ditur ministri Liburn Aliu, duke thënë se një kompani ka thënë se ka marrë pëlqim për ndërtimin e inceneratorit termik për trajtimin e mbeturinave.
“Kemi pasur takime me një kompani që ka kërkuar të na prezantojë punën e tyre në lidhje me trajtimin termik të mbeturinave. Fillimi i majit të këtij viti, meqë me çështjen e mbeturinave jemi marrë, duke punuar edhe në strategji e edhe në trajtimin e mbeturinave të pareciklueshme…Na erdhi një kompani që thotë se kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave, e edhe leje në komunën e Ferizajt e aty do të ndërtojmë incenerator. Vitin e kaluar ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incenerator në Varosh e që nënkupton djegien e 100 mijë tonë mbeturina e do të kishin efekt në tërë atë zonë që qytetarët s’janë të informuar”, deklaroi Aliu.
Sipas ministrit, ideja është interesante, por kjo siç tha ai, do të duhej të bëhej vetëm me shqyrtime të hollësishme të projektit dhe kushteve.
Aliu tha se për këtë projekt, dyshon që ka interesa nga dikush, derisa shtoi se është projekt i madh dhe ka interesa. Ai theksoi se nuk e di kush ka dhënë pëlqimin.
“Është projekt i madh dhe normalisht ka interesa, kush e ka dhënë pëlqimin nuk e dimë me emra. Si është bërë dhënia e lejes, pra këto shkelje më kanë interesuar mua. Kur ka ndodh kjo, pra ka ndodh në kohën sa unë kam qenë ministër dhe unë po dal po e denoncoj. Me emra, nuk e di kush e ka nënshkruar, nuk e di as kush e ka dhënë emrat nga autoritetet komunale”, tha tutje ministri.
Ndërsa, zëvendësministri Avni Zogiani, deklaroi gjatë kësaj konference se procesi i lëshimit të lejeve është përcjell në vazhdimësi me skandale.
“Procesi i lejeve, pëlqimeve, qoftë ambientale apo ndërtimore ka qenë problematik dhe është përcjell me skandale e edhe me burgosje. Duke nisur nga kjo, ne kemi kohë që punojmë në një reformim të tërë sistemit, por ka qenë e vështirë të merret vendim për ndryshime masovike, pasi bëhet fjalë për komisione. Kemi vënë re se kurdoherë që ka në horizont një projekt që ka interesa të mëdha, kemi më pak transparencë se në situata kur qytetarët ngritin një problematikë”, u shpreh Zogiani.
Ai bëri thirrje edhe për reformim në Komisione.
“Kemi kërkuar nga sekretari që t’i shkarkojë dy Komisione, atë për pëlqimin e lejeve dhe për mbeturina”, tha Zogiani.