No menu items!

Osmani: Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz, që duhet të marrë dënimin e merituar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademaj – Murseli, e cila u vra më 29 nëntor në Prishtinë.

Osmani thotë se vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar, transmeton Telegrafi.

“Femicidi është dëshmi rrëqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj”, ka theksuar ajo

Tutje, presidentja ka shkruar se “ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”.

Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”.

30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Liridona, e cila ishte viktimë e kësaj tragjedie, u varros këtë të premte në Cërmjan të Gjakovës.

Po në këtë ditë u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve ka thënë se do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.

“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.

Sipas raportimeve në media, autori që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.

Tre të dyshuarit për vrasjen e 30-vjeçares do të dalin para gjykatësit më 3 dhjetor./Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.