Patrulla të përbashkëta të KFOR-it me autoritete policore serbe janë zhvilluar të shtunën në zonën kufitare me Kosovën, ka thënë Policia e Kosovës si përgjigje pas raportimeve se forca policore serbe janë parë brenda territorit të Kosovës, konkretisht në Bervenik të Podujevës
Siç ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, menjëherë pas raportimeve se një qytetarë ka parë forca serbe brenda territorit të Kosovës, “Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion”.
“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontingjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Kelani ka shtuar se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare, vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë e parandalim të krimit trans kufitar.