No menu items!

U raportua se u gjet një bakter në një mostër uji, reagon Korporata Rugova

Korporata Rugova ka reaguar pas Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut tha se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji nga shteti fqinj.

Lidhur me këtë, Korporata Rugova thotë se ‘Mostra në fjalë ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg, pra mostra nuk i takon ndonjë produkti në treg dhe kësisoj nuk ka rrezikuar shëndetin e askujt’.

Tutje, në njoftimin e tyre bëhet e ditur se kanë kërkuar që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase dhe se rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor.

Korporata Rugova njofton se çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë.

Reagimi i plotë:

REAGIM ZYRTAR

Në lidhje me raportimin e bërë nga një agjenci e lajmeve në Maqedoninë e Veriut mbi cilësinë e ujit tonë të eksportuar, si dhe të disa medieve kosovare, dëshirojmë të sqarojmë dhe të japim një pasqyrë të plotë të situatës.

Ujë Rugove eksporton produktet e saj në Maqedoninë e Veriut përmes distributorit të autorizuar, Dauti Komerc. Para hyrjes në këtë treg, ne kemi kaluar një proces rigoroz licencimi dyvjeçar, duke përmbushur të gjitha kërkesat burokratike dhe standardet e vendosura nga shteti i Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, jemi në vitin e tretë të operimit në këtë treg pa asnjë problem dhe me një standard të lartë cilësie.

Më datë 12 shkurt, gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5l në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet. Lidhur me mostrën e analizuar, dëshirojmë të sqarojmë se:

– Mostra në fjalë ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg, pra mostra nuk i takon ndonjë produkti në treg dhe kësisoj nuk ka rrezikuar shëndetin e askujt.

– Sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase. Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor. Bashkangjitur e gjeni analizën e suksesshme te Institutit maqedonas të certifikuar Food Lab që e vërteton këtë.

Uji Rugove i nënshtrohet kontrolleve të përditshme nga laboratori ynë i brendshëm, disa herë brenda ditës – në mëngjes, gjatë ditës dhe në mbrëmje. Përveç kësaj, produktet tona certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë maksimale.

Gjithashtu, Ujë Rugove eksporton produktet e tij në disa tregje ndërkombëtare, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Gjermaninë, Zvicrën, Arabinë Saudite, Austrinë, Anglinë, Amerikën, si dhe bazat ushtarake të NATO-s në Evropën Juglindore. Çdo eksport i yni i nënshtrohet analizave strikte te AUVK (Agjensioi i Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës) si dhe analizave të shteteve respektive, ku çdo herë i ka kaluar me sukses të gjitha testimet.

Për këtë arsye, çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë. Jemi të përkushtuar të ofrojmë vetëm produkte të sigurta dhe cilësore për konsumatorët tanë, kudo ku operojmë dhe për këtë sigurojmë qytetarët që asnjë shishe e ujit nuk hidhet në treg pa i kaluar të gjitha testimet laboratorike. Bashkangjitur i gjeni analizat e ujit tonë nga Instituti i Certifikuar Maqedonas “Food Lab” dhe IKSHPK, që vërtetojnë cilësinë e lartë të ujit tonë.

Ftojmë të gjitha mediet të bazohen në të dhënat dhe analizat e plota shkencore dhe të shmangin keqinformimin!

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.