Astrit Hasani është zgjedhur President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në Kongresin Zgjedhor të EWF të mbajtur në Chisinau të Moldavisë, duke u bërë kështu Presidenti i parë shqiptar i ndonjë Federate Evropiane.
Siç njofton Komiteti Olimpik i Kosovës, ai ka fituar kundër Presidentit të deritanishëm të EWF italianit me nënshtetësi të Moldavisë, Antonio Conflittit.
Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, ishte arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes që nga viti 2016.
“Hasani ka një shkollim superior me magjistraturë në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit dhe doktoraturën në Universitetin e Varshavës. Është i njohur në Federatën Botërore të Peshëngritjes për qëndrimin e tij që sporti është mbi politikën. Krahas tyre, i ishte besuar pozita e CEO-së për organizimin e Kongresit Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, të mbajtur në vitin 2022 në Tiranë të Shqipërisë, organizim që më vonë organizata “Albanian Excellence” i dha çmimin “The Grand Excellence Award”. Po ashtu, për shkak të kontributit në peshëngritjen evropiane, vitin e kaluar në Varshavë të Polonisë në Kongresin Evropian, pranoi çmimin e madh evropian “Ylli i Artë””, shkruhet ndër të tjerash në njoftimin e KOK-ut.