Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar 30 ditë paraburgim për Belmando Palin, të dyshuarin për tentimvrasje në rastin që tronditi opinionin publik më 20 janar 2025. Vendimi vjen pas arrestimit të tij në ditët e fundit dhe pas një hetimi të zgjeruar që ka përfshirë edhe zyrtarë policorë.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është miratuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, pas vlerësimit të provave fillestare që e rëndojnë pozitën e të dyshuarit, i cili dyshohet se ka qenë autor i sulmit të armatosur ndaj një qytetari në Gjakovë.
Për rastin në fjalë, Policia ka arrestuar një zyrtar policor, ndërsa tre të tjerë janë suspenduar, përfshirë të arrestuarin, ndërsa hetimet janë duke u zgjeruar në drejtim të përfshirjes së mundshme të personave tjerë në krim apo në fshehjen e tij.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht ditë më parë për të kaluarën kriminale të Belmando Palit, i cili ishte i njohur për organet e rendit dhe që kishte arritur të shmangte ndjekjen ligjore në raste të mëhershme.
Ky vendim për paraburgim vjen në një fazë kritike të hetimeve dhe pritet të pasohet me veprime të tjera penale nga ana e Prokurorisë dhe Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.