Prishtinë – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Në takim e shoqëruan zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, dhe zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Në qendër të diskutimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti theksoi se Kosova tashmë i përmbush kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare, siç është konfirmuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e vendit tonë.
“Avancimi i mëtejmë i Kosovës në këtë proces do të dëshmonte se reformat demokratike dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane po njihen, edhe në një kontekst politik sfidues që kërkon vendimmarrje strategjike e parimore”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se vonesat në procesin e anëtarësimit po i mohojnë qytetarëve të Kosovës – përfshirë komunitetet joshumicë dhe grupet më të cenueshme – të drejtën për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe forcimin e llogaridhënies.
Gjatë takimit u diskutua edhe rruga përpara drejt integrimit evropian dhe zhvillimet aktuale politike në vend/Raporto24