No menu items!

FFK feston 9 vjetorin e pranimit në FIFA, Ademi vjen me një mesazh të veçantë: 9 vjet krenari në familjen e madhe të FIFA-s

Futbolli i Kosovës sot feston 9 vjetorin e pranimit në FIFA. 13 majin 2016, ishte dita kur Kosova u bë zyrtarisht pjesë e FIFA-s.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka ardhur me një mesazh të veçantë, duke thënë se ky sukses erdhi pas një sakrifice të madhe të gjeneratave të tëra për ta sjell Kosovën këtu ku është sot.

“Ky rrugëtim nisi në rrethana të vështira, me hapa të guximshëm dhe shumë sakrificë. Nga puna vizionare e Agim Bytyqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohën e okupimit, te rezistenca e palëkundur nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, më pas mbijetesa e futbollit nën udhëheqjen e Sabri Hashanit dhe deri te periudha e lavdishme e ndërkombëtarizimit me Legjendën Fadil Vokrri në krye – të gjitha këto faza ndërtuan themelet e fuqishme mbi të cilat qëndron sot futbolli ynë”, ka thënë ndër të tjera Ademi.

Postimi i plotë:

Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme në historinë e sportit dhe shtetformimit tonë – 13 majin 2016, ditën kur Kosova u bë zyrtarisht pjesë e FIFA-s. Janë bërë plot nëntë vjet që nga ajo ngjarje historike, që mbetet thellë në kujtesën e çdo njeriu që besoi dhe kontribuoi për ta bërë këtë ëndërr realitet.

Ky rrugëtim nisi në rrethana të vështira, me hapa të guximshëm dhe shumë sakrificë. Nga puna vizionare e Agim Bytyqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohën e okupimit, te rezistenca e palëkundur nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, më pas mbijetesa e futbollit nën udhëheqjen e Sabri Hashanit dhe deri te periudha e lavdishme e ndërkombëtarizimit me Legjendën Fadil Vokrri në krye – të gjitha këto faza ndërtuan themelet e fuqishme mbi të cilat qëndron sot futbolli ynë.

Pas nëntë vjetësh si anëtare e barabartë e familjes më të madhe të futbollit botëror, Kosova është shndërruar në një histori suksesi. Me përkrahjen e UEFA-s e FIFA-s dhe me angazhimin e palodhur të të gjitha strukturave të FFK-së, kemi arritur të zhvillojmë futbollin në të gjitha nivelet – nga grupmoshat, te futbolli i femrave, infrastruktura moderne e deri te ngritja e standardeve profesionale.

Kjo ditë është edhe një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që dhanë kontribut ndër vite – futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh, administratorë, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme e të sinqertë ndaj vendit tonë.

Jam veçanërisht i nderuar që pikërisht sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, ndodhem në Paraguai për të përfaqësuar Kosovën në Kongresin e 75-të të FIFA-s – një moment që pasqyron më së miri rrugëtimin tonë të jashtëzakonshëm dhe pozitën e merituar që kemi fituar në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, uroj gjithë komunitetin e futbollit dhe qytetarët e Kosovës për këtë përvjetor të veçantë. Të bashkuar, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Kosovë të fortë – në fushën e gjelbër dhe përtej saj.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi – bashkë për futbollin!

Me respekt,

Agim Ademi

President i FFK-së

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.