Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot do t’i takojë liderët e partive politike, takim ky konsultativ në përpjekje për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik.
Takimi është caktuar në ora 13:00.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, një ditë më parë ka thënë se do të vazhdojë me takime me përfaqësuesit e subjekteve politike për të gjetur një zgjidhje në konstitumin e Kuvendit.
Në konferencën për shtyp pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Anonio Costa, presidentja Vjosa Osmani është përgjigjur në pyetjen e gazetares së Telegrafit lidhur me ftesën e saj për subjektet politike për të gjetur një zgjidhje në konstituimin e Kuvendit.
“I falënderoj liderët e parive politike që janë përgjigjur pozitivisht. Ky është veç fillimi i një serie takimesh. Varësisht se si do rrjedhin bisedimet nesër ne do të vazhdojmë takimet, qoftë në atë format apo të ngjashme me liderët e partive. Ne si institucion i presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese. Sepse siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha Osman
Ajo tha se “mos konstituimi i Kuvendit rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve”.
“Kjo edhe është arsyeja pse i kam ftuar liderët për të diskutuar, por nuk do të doja t’i paragjykoj rezultatet. Shpresoj se secili do të angazhohet duke vënë interes parësor interesin e vendit”, tha ajo.
Tutje ajo tha se “Kosova ka nevojë sa më parë për Kuvend, në qoftë se për asgjë tjetër, për atë që e diskutuam me Costan, në mënyrë që të ketë vendim të Kuvendit të Kosovës sa i përket Planit të Rritjes, por ka edhe shumë marrëveshje ndërkombëtare. Nëse nuk ratifikohen së shpejti, pëson Kosova, shteti dhe qytetarët tanë”.
E Bekim Kupina, këshilltar për media ditë më parë ka bërë të ditur se pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar të gjitha partitë politike.
Ky takim konsultativ vjen pasi për të 15 herë të martën dështoi konstituimi i Kuvendit.
LVV ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit dhe po kërkojnë votim të fshehtë, ndërsa PDK, LDK dhe AAK janë kundër Haxhiut për kryeparlamentare dhe kundër votimit të fshehtë. /Telegrafi/