Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është arrestuar Milijojko Djordjeviq, i nacionalitetit serb, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në komunën e Zveçanit, gjatë luftës së fundit në Kosovë, transmeton IndeksOnline.
Arrestimi i tij është bërë me urdhër të prokurores speciale Florije Salihu-Shamolli, pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim të ngushtë me Hetuesit e Krimeve të Luftës.
Sipas Prokurorisë, Djordjeviq dyshohet se gjatë viteve 1998/1999, në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në Zveçan, në kuadër të strukturave të MUP-it serb, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime me dhunë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë.
Po ashtu, ekzistojnë dyshime të bazuara se gjatë muajit prill të vitit 1999, i pandehuri Milijojko Djordjeviq ka qenë pjesë e një operacioni ushtarako-policor në fshatin Zhazhë, së bashku me forcat e organizuara serbe, përfshirë Ushtrinë Jugosllave dhe Policinë Serbe. Si pasojë e këtij operacioni, kanë mbetur të vrarë shtatë civilë shqiptarë.
Trupat e viktimave u gjetën më pas në varrezat e fshatit Suhodoll, në komunën e Mitrovicës, pas përfundimit të luftës.
Prokuroria njofton se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rasteve dhe përgjegjësive penale për krimet e kryera./Raporto24/