Ekipi i Kosovës në karate ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e sportit shqiptar, duke fituar dy medalje në Kampionatin Evropian për Seniorë 2025 – një në garën ekipore dhe një individuale.
Trajneri i ekipit, Isak Curri, e përshkroi këtë arritje si vazhdimësi e suksesit që nisi në vitin 2023, kur Kosova fitoi medaljen e saj të parë historike në Kampionatin Botëror të Karatesë. “Nuk fituam vetëm një medalje bronzi — fituam një pjesë të historisë,” tha ai.
Sipas Curri, çdo medalje është shumë më tepër se një trofe sportiv – është një simbol i sakrificës, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun. “Çdo goditje, çdo pikë dhe çdo pikë djersë janë të gdhendura në ato medalje. Nuk e fituam lehtë — prandaj vlera e tyre është e pakrahasueshme,” shtoi ai.
Me këto dy medalje të fituara në Evropianin 2025, Kosova vazhdon rrugën e sukseseve ndërkombëtare pas vendit të pestë në botë në vitin 2024,shkruan Raporto24
“Këto medalje janë falënderimi ynë ndaj atdheut që na mësoi të jemi të pathyeshëm, të drejtë dhe të mos dorëzohemi kurrë,” përfundoi Curri.
Kosova – krenare në Evropë, krenare në botë, krenare në histori./Raporto24