Me luftërat e kategorisë mbi 78 kilogramë te xhudistet dhe mbi 100 kilogramë te xhudistët, kanë përfunduar garat individuale në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest të Hungarisë.
Kanë garuar 556 xhudistë nga 93 vende të ndryshme e nga gjashtë kontinente. Kosova është përfaqësuar me tre xhudistë, ndërsa ka siguruar dy medalje.
E argjendta e Distria Krasniqit në kategorinë deri 52 kilogramë dhe e bronzta e Laura Fazliut në kategorinë deri 63 kilogramë, i kanë mundësuar Kosovës që të jetë në top-10 të vendeve më të suksesshme të Botërorit. Pra prej 93 vendeve, Kosova është e dhjeta, shkruan Koha.
Një të argjendtë e një të bronztë e ka edhe Brazili, që është në vendin e nëntë për shkak se i ka tri vende të pesta e dy të shtata.
Nëse për bazë do të merrej numri i xhudistëve pjesëmarrës, apo edhe i popullsisë, Kosova do të ishte shumë më lart në renditje. Kryemjeshtri Driton Kuka në Botëror ka mundur të llogarisë në vetëm tre xhudistë. Pos Distrisë e Laurës ishte edhe Akil Gjakova. Por ai garoi me krahun e lënduar. Për shkak të lëndimit nuk kishte fazë të duhur përgatitore, ndërsa në tatami nuk e kishte forcën dhe energjinë e zakonshme. U ndal në luftën e dytë.
Kështu Kosova i kishte dy adutë dhe i fitoi dy medalje.
Në Botërorin në Budapest kanë dominuar xhudistët e Japonisë. I kanë fituar plot gjashtë medalje të arta, katër të argjendta e katër të bronzta.
Xhudistët e Rusisë, që u paraqitën si garues të IJF-së për shkak të suspendimit të Rusisë, fituan tri të arta e dy të bronzta. Italia i kishte dy të arta, ndërsa Gjeorgjia, Franca e Koreja e Jugut nga një.
Prej vendeve që nuk kanë fituar të arta, para Kosovës janë vetëm edhe Taxhikistani, i renditur i shtati me një të argjendtë e dy të bronzta, dhe Gjermania, e teta, me një të argjendtë e dy të bronzta po ashtu.
Por pas Kosovës kanë mbetur vende me sport shumë të zhvilluar e po ashtu xhudo shumë të zhvilluar.
Kanë mbetur edhe vende që investojnë miliona euro për një medalje të këtij niveli.
Kazakistani, Kroacia e Kanadaja kanë fituar nga një medalje argjendi dhe janë në pozitat 11, 12 e 13.
Pasojnë Azerbajxhani, Mongolia, Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë vetëm të bronzta. Dukshëm prapa Kosovës janë edhe superfuqi të sportit si Spanja, Hungaria, Holanda e Portugalia, që kompletojnë top-njëzetëshen.
Janë 20 vende gjithsej që kanë fituar medalje në Botërorin e xhudos, ngjarjen kryesore të vitit.
Pa medalje është Serbia. Janë edhe Kuba, Kina, Sllovenia, Belgjika, Çekia, vende që e kanë xhudon goxha të zhvilluar. Janë edhe shumë e shumë vende të tjera.
Por Kosova nuk mungon në top-dhjetëshe. Dhe kjo ndodh thuajse vazhdimisht.
“Është me shumë rëndësi që vazhdojmë të fitojmë medalje në Kampionate Botërore. Jemi në proces të ndërrimit të gjeneratës, ndërsa po përballemi edhe me lëndime të shumta. Përkundër kësaj, kemi fituar dy medalje shumë të vlefshme dhe kjo vetëm dëshmon punën e jashtëzakonshme që bëhet në ekipin tonë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Kosova tani i ka dhjetë medalje nga Kampionatet Botërore për të rritur. I ka pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta. Dhe i ka plot 25 medalje nga Kampionatet Evropiane për të rritur.
Me trendin aktual, shifra prej 40 medaljeve nga ngjarjet e mëdha do të shndërrohet në 50 brenda pak vjetësh.