Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Departamenti Teknik i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), sot në Kampin Nacional në Hajvali është mbajtur një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të kursit për Licencën A.
Pjesë e këtij kursi ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, i cili mbajti një ligjëratë teorike me trajnerët pjesëmarrës, duke ndarë përvojën e tij të pasur në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Ai foli për filozofinë e punës, qasjen ndaj lojtarëve dhe rëndësinë e stërvitjes cilësore dhe të përditshme.
“Sot kemi pasur një ligjëratë në kuadër të kursit për Licencën A dhe kam tentuar t’ua përcjell trajnerëve mesazhin se çfarë është e rëndësishme sot – jo vetëm në stërvitje, por edhe në lojë. Kalimi nga stërvitja në lojë ka një rëndësi të madhe. Mund të jesh i suksesshëm vetëm nëse çdo ditë stërvitesh në nivelin më të lartë. Nëse stërvitesh me 100% përkushtim, atëherë mund të luash edhe me 100%,” theksoi Foda.
Ai shtoi se roli i trajnerit sot është kompleks dhe shumëdimensional:
“Një trajner duhet të jetë një lloj multitalenti – jo vetëm të ketë njohuri teknike, por edhe aftësi psikologjike dhe pedagogjike. Duhet të dijë si të komunikojë me lojtarët, si të përgatisë dhe analizojë një ndeshje dhe si të organizojë një seancë stërvitore.”
Pas ligjëratës teorike, trajnerët pjesëmarrës patën mundësinë të ndjekin një seancë praktike, ku Foda demonstroi metodologjinë dhe qasjen e tij në menaxhimin e stërvitjes dhe zhvillimin e lojës.
FFK ka konfirmuar se do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin profesional të trajnerëve vendorë, përmes aktiviteteve të tilla, duke ngritur më tej standardet dhe kapacitetet e trajnimit në futbollin kosovar./Raporto24/