Superliga e Kosovës nis të dielën, tri përballje në xhiron e parë

Të dielën do të startojë sezoni 2025/26 i Superligës së Kosovës në futboll, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në faqen e saj zyrtare.

Në programin e javës së parë janë paraparë tri ndeshje:

Dukagjini – Prishtina

Malisheva – Prishtina e Re

Drenica – Llapi

Ndërkohë, kampionia në fuqi Drita dhe Ballkani nuk do të zhvillojnë ndeshjet këtë fundjavë, për shkak të angazhimeve në arenën ndërkombëtare.

Drita, të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të luajë ndeshjen kthyese ndaj FCSB-së, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshjen e parë në Bukuresht, gjilanasit e humbën me rezultat 3:2.

Po të enjten, nga ora 21:00 në Dublin, Ballkani do të zhvillojë ndeshjen kthyese të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj Shamrock Roversit. Skuadra nga Suhareka e fitoi 1:0 ndeshjen e parë të luajtur në Prishtinë.

Nga ky edicion, Liga e Parë do të ketë 18 ekipe pjesëmarrëse, ndryshe nga vitet e fundit kur skuadrat ishin të ndara në dy grupe./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU