Shëndeti oral është shumë më tepër sesa një buzëqeshje e bukur.
Në një bisedë me Dr. Rina Caka Hoxha, specialiste e ortodoncisë në klinikën Oxa Dent, zbulojmë se si kujdesi për dhëmbët ndikon jo vetëm në estetikë, por në të gjithë organizmin dhe në mënyrën se si njerëzit e shohin veten.

Pse dhëmbët janë më shumë se një çështje estetike?
“Shëndeti oral, përtej estetikës, lidhet ngushtë me shëndetin e përgjithshëm të trupit,” – thotë Dr. Rina. “Infeksionet në gojë mund të përhapen përmes qarkullimit të gjakut dhe të prekin zemrën, mushkëritë, shtatzëninë apo të përkeqësojnë sëmundje si artriti reumatoid.”
Video: https://www.instagram.com/reel/DNV16T4IGAP/?igsh=MTZnbDBmY2R0ODhoMg==
Cilat janë shenjat që nuk duhen injoruar?
“Pacientët shpesh e injorojnë gjakderdhjen e mishrave, erën e keqe të vazhdueshme të gojës apo ndryshimet në pozicionimin e dhëmbëve. Këto janë sinjale që tregojnë se diçka nuk po shkon mirë – dhe kërkojnë vëmendje mjekësore.”, thotë Caka- Hoxha.
Transformimi i perceptimit: estetikë me më shumë vetëdije
Sot, një buzëqeshje e bukur nuk është më luks – është pjesë e imazhit personal dhe vetëbesimit.
View this post on Instagram
“Pacientët janë më të hapur ndaj trajtimeve estetike, duke përfshirë ortodoncinë dhe procedura të tjera që ndihmojnë në përmirësimin e harmonisë faciale. Estetika nuk shihet më si vanitet, por si investim në vetvete.”
Ndërhyrjet estetike dhe ndikimi emocional
“Ka raste të shumta kur pacientët, veçanërisht të rinj, ndihen emocionalisht të rënduar nga pamja e dhëmbëve të tyre,” – tregon Dr. Rina. “Shumë prej tyre nuk buzëqeshin dot lirshëm. Ne i dëgjojmë me vëmendje dhe vlerësojmë nëse perceptimi i tyre përputhet me gjendjen reale. Vetëm atëherë ofrojmë zgjidhje të sigurta dhe të personalizuara.”
Perfeksioni është i rrallë – por natyralja është gjithmonë e bukur
E pyetur për mënyrën se si puna e saj ndikon në perceptimin personal të bukurisë, Dr. Rina shprehet:
“Si ortodonte, unë vërej detaje në fytyrat e pacientëve – nga asimetritë te pozicionet e dhëmbëve. Por ajo që vërtet e bën një buzëqeshje të bukur, është natyrshmëria e shëndetshme. Perfeksioni është i rrallë; natyralja është ajo që synojmë.”
Gabimi më i zakonshëm që bëjmë çdo ditë?
“Përdorimi i rrallë i fillit dentar dhe moslarja e gjuhës janë ndër gabimet më të zakonshme. Gjithashtu, larja e dhëmbëve menjëherë pas konsumimit të pijeve acide dëmton smaltin – më mirë të shpërlajmë gojën me ujë dhe të presim 30 minuta para se t’i lajmë.”
Tabutë e botox-it dhe filler-it: si ruhet natyraliteti?
“Pacientët frikësohen se mund të humbasin shprehjen apo natyralitetin, por kur këto procedura bëhen me profesionalizëm dhe në doza të kontrolluara, ato japin rezultate shumë të diskrete dhe harmonike. Ne nuk e ndryshojmë fytyrën – thjesht theksojmë më të mirën e saj.”
Në fund, çfarë do të këshillonit të rinjtë që duan të investojnë në pamjen e tyre?
“Pa dyshim, të fillojnë me shëndetin e dhëmbëve. Ky është një investim që ndikon në gjithë trupin dhe qëndrimin ndaj vetes. Lëkura mund të përmirësohet më shpejt, por një gojë e shëndetshme është themel për gjithçka.”
View this post on Instagram
Në një kohë kur estetikja dhe natyralja po kërkojnë balancën e përkryer, mesazhi i Dr. Rina Caka Hoxha është i qartë: buzëqeshja është më shumë se imazh – është një pasqyrë e shëndetit dhe vetëvlerësimit.
View this post on Instagram


