Asani bëhet milioner në Iran – zbulohet paga marramendëse e yllit të Kombëtares shqiptare

Transferimi i Jasir Asanit te Esteghlali i Teheranit ka bërë bujë të madhe në Iran, duke u cilësuar si një vlerë e shtuar për klubin dhe për kampionatin vendas.

Mediat iraniane shkruajnë se marrëveshja me sulmuesin shqiptar është një sfidë e madhe financiare për klubin, i cili po përballet me probleme ekonomike. Kjo për faktin se paga e Asanit arrin në 2.6 milionë dollarë për dy sezone, ose 1.3 milionë dollarë në vit – shumë që nuk do të tatohet asnjë cent. Kjo shifër është veçanërisht e lartë duke pasur parasysh se paga mesatare në Iran, rreth 500 dollarë, tatohet rëndë.

Përveç përfitimeve sportive, mediat lokale ngrejnë shqetësime për sjelljen e Asanit jashtë fushe, duke kujtuar problemet e tij të disiplinës gjatë periudhës në Kuangju. Sidoqoftë, drejtuesit e Esteghlalit besojnë se cilësitë e tij mund të bëjnë diferencën.

Asani, i mbiquajtur “Arjen Robben i Azisë”, ka shkëlqyer më parë në ligën e Koresë së Jugut dhe në ndeshjet e Champions League aziatike. Trajneri Sa Pinto e sheh si një armë të fuqishme në skemat e tij ofensive, duke e përdorur në të dy krahët e sulmit në formacionin 4-2-3-1.

Pritshmëritë në Teheran janë të mëdha, por mbetet për t’u parë se sa shpejt 30-vjeçari shqiptar do të përshtatet me futbollin iranian./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU