Agim Ademi pas humbjes në Bazel: “Nuk ishte nata jonë, por do të rikthehemi më të fortë”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka reaguar pas humbjes së thellë të Kosovës kundër Zvicrës në Bazel. Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kjo mbrëmje nuk ishte nata e Dardanëve, por se ekipi duhet të reagojë fuqishëm në ndeshjet e ardhshme.

“Sonte nuk ishte nata jonë në Bazel. Një humbje e dhimbshme për Dardanët tanë, që tregon se ende kemi punë përpara dhe se duhet të rikthehemi më të fortë. Kjo është vetëm një betejë e humbur dhe jo fundi i rrugës. Kam besim te këta djelmosha dhe jam i bindur se do të nxjerrim mësime”, ka shkruar Ademi.

Ai ka falënderuar tifozët shqiptarë për përkrahjen e jashtëzakonshme, të cilët mbushën pjesën më të madhe të stadiumit në Bazel.

“Ajo që mbetet vlerë e madhe është përkrahja e bashkatdhetarëve tanë dhe tifogrupit ‘Dardanët’, që na qëndruan pranë deri në fund. Për këtë mikpritje dhe dashuri të pakufijshme për Kosovën, ju jam thellësisht mirënjohës”, ka shtuar kreu i FFK-së.

Ai ka bërë thirrje që tifozët të vazhdojnë të jenë pranë ekipit edhe në ndeshjen e së hënës kundër Suedisë.

“Dardanët tanë kanë nevojë për mbështetje pikërisht në situata të tilla. Forca jonë më e madhe është uniteti dhe vetëm kështu mund të rikthehemi pas një mbrëmje si kjo. Kombëtarja është e të gjithëve dhe duhet ta përkrahim në ditë të mira e në ditë të vështira”, ka përfunduar Ademi./Raporto24/

Foto:Blerim Uka

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU