Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka mohuar kategorikisht raportimet në disa media se UEFA e ka dënuar FFK-në për keqpërdorim të fondeve, përkatësisht në lidhje me procesin e licencimit të klubeve, duke i cilësuar ato si gënjeshtra të pastra dhe tendencioze.
Sipas FFK-së, këto pretendime kanë për qëllim deformimin e realitetit, pikërisht në prag të procesit zgjedhor në të cilin ndodhet federata, dhe synojnë të krijojnë konfuzion në opinionin publik.
FFK sqaron se marrëveshja e përmendur ndërmjet saj dhe UEFA-s nuk është aktuale, por është nënshkruar në vitin 2023. Kjo marrëveshje parasheh forcimin e Departamentit të Licencimit në kuadër të FFK-së, si dhe ushtrimin e një kontrolli më rigoroz ndaj klubeve anëtare, në disa segmente të procesit të licencimit.
UEFA, në kuadër të mbështetjes për Federatat Kombëtare, ndan fonde vjetore për procesin e licencimit të klubeve. Për shkak të gjetjeve të evidentuara në këtë marrëveshje, UEFA i ka pezulluar përkohësisht FFK-së shumën prej 50 mijë eurosh, si masë korrektuese dhe jo si dënim disiplinor.
FFK e konsideron të çuditshme mënyrën se si persona të caktuar po keqpërdorin dokumente në të cilat dikur kanë pasur qasje, duke i keqinterpretuar ato me qëllim krijimin e amullisë në opinion. Sipas federatës, këto veprime nënçmojnë edhe inteligjencën e opinionit sportiv dhe i vënë tifozët në lajthitje.
Në fund, FFK thekson se marrëveshje të tilla janë praktikë e shpeshtë e UEFA-s me shumë federata kombëtare. Si shembull, përmenden marrëveshjet e ngjashme të UEFA-s me Federatën e Futbollit të Kroacisë, së cilës i janë ndalur 100 mijë euro, si dhe me Federatën Shqiptare të Futbollit./Raporto24/
https://ffk-kosova.com/lajmet/Reagim-i-FFK-s%C3%AB








