​Simeone – Yamalit: Nëse do sport një kundër një, shko luajë tenis

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, i ka dërguar një mesazh sulmuesit të krahut të Barcelonës, Lamine Yamal, përpara ndeshjes së dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve në stadiumin “Metropolitano”.

Kërkesës së Lamine Yamal i është përgjigjur Simeone, përpara ndeshjes së kthimit. Sipas beIN Sports, lojtari ndërkombëtar spanjoll i bëri thirrje Simeones që t’i jepte një mbrojtje kokë më kokë.

“Ndihem shumë mirë, mezi pres ndeshjen e nesërme, jam i motivuar për të dhe shpresoj se mund të bëj një ndryshim, le të shohim nëse Cholo më bën një nder dhe më vendos kokë më kokë me ndonjë lojtar dhe shpresoj që po” – tha Yamal.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Yamal, Diego Simeone e këshilloi të riun të luante tenis në vend të futbollit.

“Nëse ai dëshiron një sport një kundër një, mund të shkojë dhe të luajë tenis” – ka thënë Simeone.

Më tutje, Simeone pranoi se Barcelona është një skuadër e mirë, duke shtuar se ata janë gati të zbatojnë planet e tyre për të ndaluar Barcën.

“Jemi të bindur për atë që na duhet dhe atë që do të kërkojmë. Duhet të luajmë pasi kemi konkurruar kundër tyre, e dimë që janë një rival shumë i mirë, por edhe qëllimi ynë, që është kualifikimi” – shtoi trajneri Simeone.

Atletico dhe Barcelona janë përballur me njëra-tjetrën katër herë këtë sezon, me katalanasit që fituan të dy përballjet e La Ligas, ndërsa Atletico triumfoi 4-3 në total në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU