Llapi ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, pasi barazoi pa gola ndaj Dukagjinit, në kuadër të javës së 33-të të Albi Mall Superligës.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë u karakterizua me raste të shumta nga të dyja skuadrat, por portierët mbetën të pamposhtur. Mysafirët ishin afër golit në pjesën e parë, kur Hekuran Berisha nuk arriti të shënojë nga afërsia, ndërsa një tjetër rast u ndal nga shtylla.
Pas këtij barazimi, Dukagjini mbetet në pozitën e shtatë me 42 pikë, ndërsa Llapi renditet në vendin e tetë me 40 pikë, pozitë që dërgon në barazh për mbijetesë në elitë.
Ndërkohë, pa fitues, por me nga një gol për secilën skuadër, është mbyllur edhe sfida mes Ferizajt dhe Malishevës, e zhvilluar në Ferizaj (1:1).
Ferizaj kaloi në epërsi në minutën e 38-të me golin e Ruben Silva-Richards, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh minimal. Në fund të pjesës së parë, Malisheva mbeti me një lojtar më pak, pasi Robert Mathieu Ndjigi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, mysafirët reaguan në pjesën e dytë dhe arritën të barazojnë në minutën e 63-të me Diatta Assane, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 1:1.
Pas këtij takimi, Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 35 pikë, ndërsa Malisheva vazhdon në vendin e tretë me 53 pikë, duke qenë shumë pranë sigurimit të pjesëmarrjes në garat evropiane.


