Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, kanë marrë një hov të ri pas miratimit të ligjit përkatës në Kuvendin e Kosovës, duke dhënë një sinjal të qartë se institucionet janë vënë në lëvizje. Megjithatë, pas takimeve intensive dhe vizitave të rëndësishme jashtë vendit, një sërë sfidash mbeten të hapura dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Së fundmi, Komisioni Koordinues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) zhvilloi takime tre-ditore në Durrës, qytet i cili do të jetë bashkëorganizator për sportin e lundrimit. Përfaqësuesit kosovarë dhe ata ndërkombëtarë zhvilluan takime me krerët e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë si dhe me Bashkinë e Durrësit.
Këto vizita, sipas zëdhënësit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, tregojnë se punët janë duke ecur në rrugën e duhur dhe se ka edhe një intensifikim të takimeve mes palëve të përfshira në këtë organizim.
Miratimi i ligjit për Lojërat Mesdhetare, kalimi në Kuvendin e Kosovës, është një sinjal i mirë që punët po ecin. Javën e kaluar, siç e keni parë edhe vetë, Komisioni Koordinues i Prishtina 2030, që është komision i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, bashkë me të gjitha palët e përfshira në organizimin e këtyre lojërave si OCMG, Komiteti Olimpik i Kosovës, Ministria për Rini dhe Sport, si dhe Komuna e Prishtinës, por gjithashtu edhe palët e përfshira nga Shqipëria, kanë marrë pjesë për tre ditë në takimet e zhvilluara në Durrës. Pse në Durrës? Sepse pikërisht ky qytet është një formë bashkëorganizatori i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke përfshirë sportin e lundrimit që do të zhvillohet në bregdetin e Durrësit”, theksoi Krasniqi
https://kosovapress.com/prishtina-2030-hyn-ne-faze-vendimtare-zbulimi-i-logos-dhe-infrastruktura-sportive-ne-fokus?fbclid=IwdGRjcAR_kgRjbGNrBH-SAGV4dG4DYWVtAjExAHNydGMGYXBwX2lkDDM1MDY4NTUzMTcyOAABHhnMOqatPoJVAwPerHowAiwzl9TaeAVlklPCn7KoU8H2Bxv1iEyLYBzVYOhW_aem_jbrpG2XnmPVWdpqTQN3JaQ


