​Dëmtimi i fundit: Ja sa kohë do të mungojë Neymar

Mjeku i Kombëtares Braziliane, Rodrigo Lasmar, konfirmoi se Neymar ka pësuar një dëmtim të gradës së dytë në pulpën e djathtë. Koha e parashikuar e rikuperimit është mes dy dhe tre javësh, ku sulmuesi padyshim që do të humbasë fazën e fundit të miqësoreve përgatitore përpara Kupës së Botës.

Ky lëndim ndikon drejtpërdrejt në planet e stafit të trajnerëve për ditët në vijim. Numri 10 do të humbasë ndeshjet kundër Panamasë, më 31 maj dhe kundër Egjiptit, më 6 qershor.

Periudha e rikuperimit mund ta përjashtojë lojtarin edhe nga ndeshja hapëse e Kupës së Botës e Brazilit kundër Marokut.

Pjesëmarrja e tij do të varet nga sa mirë do të përparojë fizikisht në javët në vijim.

“Nuk është vetëm ënjtje” – tha mjeku i ekipit të Brazilit.

Konfirmimi i dëmtimit vjen një ditë pasi Neymar humbi seancën e parë zyrtare stërvitore me ekipin kombëtar në Granja Comary, në Teresopolis, të mërkurën, kur ai u dërgua në një klinikë lokale për analiza.

Ylli kishte mbërritur tashmë me ënjtje në zonën e pulpës. Problemi filloi më 17 maj, kur sulmuesi ndjeu dhimbje gjatë humbjes 3-0 të Santos ndaj Coritibas në ligën braziliane.

Që atëherë, ai nuk ishte rikthyer në stërvitje me topin, duke ngritur një shenjë paralajmëruese që për fat të keq u konfirmua nga raporti mjekësor i sotëm.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU