Përballja e barazhit në Ligën e Parë të Kosovës, mes Lirisë dhe Dinamos së Ferizajit, do të zhvillohet sot, një përballje vendimtare që mund të afrojë njërën nga skuadrat një hap më pranë Superligës për sezonin e ardhshëm.
Pas përfundimit të kampionatit në fundjavën e kaluar, Vushtrria dhe Feronikeli ’74 kanë siguruar inkuadrimin direkt në elitën e futbollit kosovar. Megjithatë, gara për një vend tjetër në Superligë vazhdon përmes fazës së barazhit.
Skuadra e Lirisë, që e mbylli sezonin në vendin e tretë, do të përballet me Dinamon e Ferizajt, e renditur e katërta. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me fillim nga ora 16:00.
Fituesi i kësaj përballjeje nuk do ta ketë të sigurt ende promovimin, pasi në javën e ardhshme do të përballet me skuadrën që përfundon në vendin e tetë në Superligën e Kosovës, në një duel tjetër vendimtar për një vend në elitë.
Ndërkohë, lufta për mbijetesë në Superligë mbetet e fortë, pasi përveç Llapit, në rrezik matematikor janë edhe Drenica, Dukagjini, Gjilani dhe Prishtina.
Kjo do të jetë përballja e tretë mes Lirisë dhe Dinamos këtë sezon, ku skuadra prizrenase ka dominuar në dy ndeshjet e mëparshme. Liria ka fituar 1-0 në ndeshjen e parë dhe ka triumfuar bindshëm 5-1 në takimin e dytë.
Mbetet të shihet nëse Liria do ta vazhdojë serinë pozitive, apo Dinamo e Ferizajt do të arrijë të befasojë dhe të mbajë gjallë ëndrrën për Superligë.
KosovaPress


