Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, e ka prezantuar zotimin e katërt të programit qeverisës, i cili fokusohet në arsimin cilësor, zhvillimin e aftësive për të ardhmen dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Në një konferencë për media të enjten, Hamza tha se arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar nga qeveria e udhëhequr nga PDK-ja.
Hamza: PDK do ta trajtojë arsimin si prioritet kombëtar
Video:
“Zotimit tonë të katërt të qeverisjes: Arsim cilësor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë. Arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shtet. Ai përcakton jo vetëm të ardhmen e individit, por edhe zhvillimin ekonomik, social e demokratik të vendit. Në një sistem arsimor cilësor, aftëson qytetarët, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme. Prandaj qeveria e udhëhoqur nga Partia Demokratike e Kosovës do ta trajtojë arsimin si prioritet kombëtar. Sot, sistemi ynë arsimor përballet me shumë sfida serioze: cilësi të pabarabartë të mësimdhënies, mungesë të infrastrukturës moderne, mospërputhje me nevojat e tregut të punës dhe mbështetje të pamjaftueshme për mësimdhënësit dhe studentët. Këto sfida kërkojnë reforma të thella, investime serioze dhe vizion afatgjatë. Në qendër të këtij vizioni është rinia e Kosovës.”, u shpreh Hamza.
Ai tha se kapitali më i madh i Kosovës janë të rinjtë dhe kapacitetet njerëzore, duke theksuar se synim i PDK-së është krijimi i kushteve që ata të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në vend.
Sipas Hamzës, një nga prioritetet kryesore do të jetë digjitalizimi i sistemit arsimor përmes investimeve në teknologji moderne, zhvillimit të platformave bashkëkohore të mësimit dhe avancimit të aftësive digjitale që nga mosha e hershme.
Hamza theksoi se fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, duke synuar forcimin e rolit të universiteteve publike si qendra të dijes dhe inovacionit.
Hamza: Do të krijohet fondi i bursave në lartësi prej 30 milionë euro
Video:
“Qeveria e PDK-së do të forcojë autonominë universitare, do të mbështesë kërkimet shkencore dhe do të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar me universitetet prestigjioze evropiane dhe botërore. Ne duam universitete që jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit. E në këtë drejtim do ta themelojmë fondin e bursave për studentë. Për herë të parë, do të krijohet fondi i bursave në lartësi prej 30 milionë euro. Ky fond do të garantojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo sociale. Rrafsh tjeter ku do të fokusohemi është edhe arsimi joformal dhe kreativiteti rinor. Zhvillimi i një njeriu nuk ndodh vetëm brenda klasss. Prandaj do të mbështesim arsimin joformal, aktivitetet kulturore, artistike, sportive dhe inovative, si pjesë e zhvillimit të gjithanshëm të rinisë sonë. Do të krijojmë më shumë hapsira për kreativitet, inovacion dhe angazhim qytetar, në bashkëpunim me sektorin civil, komunitetin artistik dhe sektorin privat.”, tha Hamza.


