Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin për blerje votash në Graçanicë, në një operacion të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar në fshatin Uglar, pas informacioneve se persona të caktuar po kryenin veprime që lidhen me ndikimin e votuesve përmes ofertave dhe premtimeve materiale.
Sipas hetimeve fillestare, Aleksandar Trajkovic dyshohet se ka kontaktuar qytetarë të ndryshëm dhe u ka premtuar përfitime materiale në këmbim të votimit për subjektin politik “Lista Serbe”.
Gjatë veprimeve operativo-hetimore janë intervistuar dëshmitarë dhe janë siguruar informacione që dyshohet se e lidhin të arrestuarin me veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Sinjali mëson se hetuesit kanë kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit, si dhe në një lokal, ku janë gjetur dhe sekuestruar materiale që lidhen me procesin e votimit, si dhe katër telefona mobilë që do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar nëse në këtë aktivitet kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata


